Politikë

Sulmet e Metës ndaj Dumanit, nuk mungon as BE, në krah të kreut të SPAK: Luftoni korrupsionin

Bashkimi Europian i cilëson si të papranueshme akuzat e bëra ndaj Prokurorisë së Posaçme.

k.m.

Sulmet e Metës ndaj Dumanit, nuk mungon as BE, në krah të kreut

TIRANË- Pas ambasadës së SHBA-së dhe asaj Britanike, edhe Bashkimi Europian ka reaguar për kërcënimet, fyerjet dhe akuzat që kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka bërë së fundmi ndaj kreut të SPAK, Altin Dumanit. Me anë të një postimi në platformën 'X' ambasada e BE-së në Tiranë, thekson se sulmet ndaj prokurorëve apo gjyqtarëve, nuk kanë vend në demokraci. Ndër të tjera Bashkimi Europian i cilëson si të papranueshme akuzat e bëra ndaj Prokurorisë së Posaçme.

Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri: Sulmet apo intimidimet kundër anëtarëve të gjyqësorit nuk kanë vend në demokraci. Ne mbështesim dënimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë të deklaratave të fundit të papranueshme publike të drejtuara kundër SPAK. Bashkimi Evropian qëndron pranë magjistratëve dhe profesionistëve shqiptarë të angazhuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Më herët një reagim erdhi edhe nga Ambasada e SHBA-së në vendin tonë dhe ajo Britanike të cilat njoftuan se mbështetin prokurorët e SPAK. Ambasadori britanik, Alastair King-Smith ka shprehur mbështetjen e fortë të Mbretërisë së Bashkuar për Prokurorinë e Posaçme të Shqipërisë, SPAK dhe përpjekjet e saj jetike për përmirësimin e llogaridhënies dhe për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në interes të të gjithë qytetarëve shqiptarë. Ndërsa ajo e SHBA-së u shperh se do të qëndrojnë në krah të shumicës së qytetarëve shqiptarë që besojnë te institucionet e reja të drejtësisë.

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, nuk i ka ndalur sulmet në drejtim të kreut të SPAK, Altin Dumanit. Meta ka akuzuar Dumanin, se po bën gjithçka për të manipuluar dosjen CEZ-DIA. Kreu i PL ka deklaruar se nuk i trembet asgjëje dhe do ta vijojë luftën e tij me SPAK edhe nga burgu. Më herët i ftuar në “Opinion” dhe në deklarata të vazhdueshme, Meta e ka akuzuar Dumanin se është i kapur nga kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku Erion Veliaj. SPAK-un, Meta e ka konsideruar organizatë politike që merret me kryedemokratin Sali Berisha për të shkatërruar opozitën dhe me Ilir Metën për llogari të krimit të organizuar. Po ashtu, Meta e ka akuzuar Dumanin se ka zhvilluar dhe takime me Charles McGonigal./ZËRI

Poll

MOS HUMB