
TIRANË- Fredi Beleri është zgjedhur nënkryetar i Komisionit për Peticione (PETI) në Parlamentin Europian. Eurodeputetët e Demokracisë së Re (NeoDemokracia) Fredi Beleri dhe Eliza Vozemberg, së bashku me eurodeputeten e SYRIZA-s, Elena Koundoura dhe Emmanouil Fragkos nga Greek Solution, janë zgjedhur në poste drejtuese në komisionet e Parlamentit Evropian.
Pas zgjedhjes në pozitën e re, një reagim erdhi nga Beleri, i cili prej ditësh është kthyer në qelinë e burgut.
“Falënderoj kolegët e mi për zgjedhjen time në postin e nënkryetarit të Komisionit të Peticioneve, për të cilën jam informuar përmes burgjeve shqiptare. Është një nder i madh dhe një përgjegjësi akoma më e madhe për një eurodeputet të sapozgjedhur, por edhe për vendin tonë. Së shpejti aventura ime do të përfundojë dhe unë do të mund të kryej pa u shpërqendruar detyrat që më kanë besuar qytetarët grekë me votën e tyre,”-tha në reagimin e tij Fredi Beleri.
Kryetarja e Eurogrupit të ND-së, Eliza Vozemberg, u zgjodh kryetare e Komitetit të Transportit dhe Turizmit me 33 vota, ndërsa Elena Kountoura e SYRIZA-s do të jetë nënkryetarja e tretë./ZËRI