
TROPOJË- Kryebashkiaku i Tropojës, Rexhë Byberi autorizoi për ndërtimin e 2 rrugëve për të cilat përfundoi në masën e sigurisë "arrest shtëpie", bashkë me nënkryetarin e Bashkisë, Abedin Kërrnaja. Në dosjen e SPAK del edhe emri i Binak Zharkut, i cili autorizohet bashkë me 3 kryepleq e 3 banorë të zonës që të ndihmonin në ndërtimin e rrugës, e cila u gjet se kishte shkelje ligjore. Sipas "Syri", Byberi i tha autorizim Zharkut , një personazhi që një vit më pas do arrestohej si trafikant droge.
Më 7 maj 2022, Zharku u arrestua pasi iu gjet në banesë 18 kilogramë kanabis, një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak.
Avokati i Byberit konfirmoi se Zharku ishte punonjës i punëve publike në Bashki, dhe autorizimi për ndërtimin e rrugës iu dha nën cilësinë e postit që mbante.
“Binaku është punonjës i Punëve Publike në Bashkinë Tropojë. Ai është autorizuar nga N/Kryetari i Bashkisë, me emër, mbiemër dhe firmën e tij. Autorizimi ka qenë vetëm për të mbikqyrur fshatarët dhe kryepleqtë e 11 fshatrave të cilët do të rehabilitonin si për çdo vit që e kanë kryer, për shumë vjet, të rrugës ekzistuese, për shtegëtimin e banorëve dhe bagëtive në bjeshkë”.
Interesit nëse Binak Zharku e mbante këtë detyrë edhe pas arrestimit, avokati tha se nuk kishte dijeni, por shtoi se autorizimi i është dhënë përpara arrestimit.
Për këto dy rrugë të ndërtuara, Byberi akuzohet se i ka shkaktuar 227 mln lekë dëm shtetit. Më herët, Byberi është denoncuar nga opozita dhe për ndërtimin e një fabrike betoni nga një i afërmi i tij në kundërshtim me ligjin. Por po ashtu, ka edhe denoncime për gurore dhe hapësira pylli që po ashtu ia ka dhënë familjarëve të tij. Tashmë, me arrestimin e Byberit dhe Kërnajës, në krye të Bashkisë së Tropojë lind vakanca për drejtuesin, që mbetet për t’u parë nëse do të ketë një skenar me zvarritje si ai i Bashkisë së Himarës, apo qyteti verior i Shqipërisë do të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme.
Rexhë Byberi u zgjodh kryetar i Bashkisë Tropojë fillimisht në zgjedhjet pa garë të vitit 2019. Më parë ai kishte qenë për 15 vjet kryetar i Komunës Margegaj për llogari të Partisë Demokratike, por si kryetar i Bashkisë Tropojë është zgjedhur nën siglën e Partisë Socialiste./ZËRI