Politikë

Do i sjellin në Shqipëri apo jo? Britanikët të pavendosur për emigrantët, sekretari: Do flasim me Melonin. Home Office e mohon

Sipas tij, qeveria britanike mund të ndjekë drejtimin e Italisë, pra të sjellë azilkërkuesit në Shqipëri.

k.m.
Do i sjellin në Shqipëri apo jo? Britanikët të pavendosur
David Lammy

BRITANI E MADHE- 8 persona që kërkonin një jetë më të mirë në Britaninë e Madhe u mbytën gjatë natës duke u përpjekur të kalonin Kanalin nga Franca në Angli. Për rastin ka folur sekretari i jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy tha se qeveria britanike po e shikon mundësinë që të bashkëpunojë me atë shqiptare për të zgjidhur problemin. Sipas tij, qeveria britanike mund të ndjekë drejtimin e Italisë, pra të sjellë azilkërkuesit në Shqipëri.

"Keir Starmer do të jetë në Itali të hënën për të biseduar me kryeministren, Giorgia Meloni, në lidhje me përpjekjet e saj për të trajtuar problemin dhe punën që ata kanë bërë, veçanërisht me Shqipërinë. Për shkak se janë ulur shifrat, ne jemi të interesuar të diskutojmë me Italinë për skemat që kanë implementuar jo vetëm me Shqipërinë, por edhe me Sirinë dhe Libinë."

Për mediat britanike, një burim nga "Home Office" tha se pretendimi i Lammy-t për një skemë të mundshme nuk ishte një politikë që do të ndiqej nga qeveria.

“Nuk është diçka për të cilën po punojmë,”- tha burimi, duke shtuar se plani i Italisë për të përpunuar azilkërkuesit në Shqipëri nuk mund të shihet se ka reduktuar shifrat e azilkërkuesëve, sepse kampet nuk ishin vendosur ende në funksion të marrëveshjes.

Por, nga ana tjetër, kryeministri britanik Keir Starmer ka pranuar se është i hapur për dërgimin e emigrantëve në Shqipëri për të trajtuar kërkesat e tyre për azil. Starmer u tha gazetarëve që udhëtonin me të në Uashington DC përpara se të fluturonte për në Romë se do të shihte sesi do të funksiononte marrëveshja e Italisë me Shqipërinë në lidhje me përpunimin e kërkesave për azil.

Komentet e Keir vijnë pasi anuloi marrëveshjen e diskutueshme të Mbretërisë së Bashkuar me Ruandën, e cila ishte nënshkruar nga qeveria e mëparshme konservatore me një kosto prej 700 milion paund për tatimpaguesit. Ndërkohë plani italian që përfshin hapjen e dy kampeve në Shqipëri dhe strehimin e 3 mijë emigrantëve është kritikuar, ndërsa Qeveria e Melonit ka reduktuar në mënyrë dramatike numrin e njerëzve që vijnë nëpër Mesdhe në Itali nga Afrika e Veriut, shkruajnë mediat në Britani.

Italia dhe Shqipëria arritën paktin pesëvjeçar. Sipas marrëveshjes, Shqipëria do të strehojë emigrantë që do të shpëtohen në det, teksa Italia me procedurë të përshpejtuar do të shqyrtojë kërkesat e tyre për azil. Dy qendrat ku do të vendosen emigrantët është dashur të funksionalizohen këtë javë, por për shkak të vonesave në ndërtim, hapja e tyre është shtyrë. Dy qendrat, që do të financohen dhe menaxhohen nga Italia, mund të akomodojnë deri në 3.000 migrantë që do të vijnë nga Italia përmes detit./ZËRI

Poll

MOS HUMB