
GREQI- Djali i Fredi Belerit, ka reaguar pas vendimit për dënimin e të atit me dy vite burg. Petro Beleri ka folur për ethnos.gr në lidhje me vendimin për babain, duke theksuar se familja e tij dhe himariotët janë të vendosur të çojnë çështjen deri në fund në mënyrë që të zbardhet e vërteta.
Sipas tij tashmë fjala i përket palës greke, e cila duhet të marrë iniciativat e nevojshme që drejtësia të shkëlqejë.
“Ky vendim i shërben 100% qëllimeve të qeverisë shqiptare, në një kohë kur të gjitha argumentet e tyre janë rrëzuar. Duan të na çojnë sërish në zgjedhje, por çfarë kuptimi do të kenë kur përpiqen me çdo mënyrë të pengohet kryetari i zgjedhur ligjërisht? Tashmë qeveria greke duhet të marrë një qëndrim të qartë. Të gjithë Himariotët janë të vendosur. Sot jashtë gjykatës ishin 100 persona, plus ata që ishin brenda në sallë. Bëhet fjalë për një gjyq historik me zhvillimin më negativ për palën greke. Ne do të vijojmë me qëndrimin tonë të civilizuar dhe do të luftojmë deri në fund”, ka theksuar Petro Beleri, djali i Fredi Belerit.
Gjykata e Posaçme vendosi të dënojë sot me dy vite burg kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Belerin. Beleri është shpallur fajtor për 'korrupsion aktiv' në zgjedhjet lokale të 2023-it. Çështja e kryetarit të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri u kthye në arenë përplasjesh mes Tiranës dhe Athinës. Fredi Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, duke u bërë i vetmi kandidat në Shqipëri që zgjidhej në një post publik ndërsa ishte në qeli./ZËRI