Politikë

'Dita e drejtësisë'/ SHBA&BE: Ka presion politik, por reforma në drejtësi duhet të jetë e pakthyeshme!

Në takim ishin të ftuar përfaqësues ndërkombëtarë dhe politikanë, si presidenti Bajram Begaj dhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.

k.m.
'Dita e drejtësisë'/ SHBA&BE: Ka presion politik, por
Mbledhja për 'Ditën e Drejtësisë'

TIRANË- Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe ai Prokurorisë mbajtën një takim të përbashkët në ditën e drejtësisë. Në takim ishin të ftuar përfaqësues ndërkombëtarë dhe politikanë, si presidenti Bajram Begaj dhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja. Ndër të parët që mbajti fjalë ishte i ngarkuari me punë i ambasadës amerikane në Tiranë, David ëisner. Në fjalën e tij, ëisner inkurajoi prokurorët dhe magjistratët për të vijuar punën në goditjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit pavarësisht presioneve nga politika.

“Reforma në drejtësi nuk është e lehtë apo perfekte, por të gjithë qytetarët shqiptarë duhet të jenë krenar për punën e bërë. Ju dhe institucionet e tjera të pavarura po sillni pritshmëri për sistemin e drejtësisë duke ndërmarrë veprime kundër krimit të organizuar, shqiptarët të kenë besim tek ju. Sfidat me të cilat po përballeni janë të mëdha, ka pengesa por pritshmëritë publike janë të mëdha. Është me shumë rëndësi puna juaj, takimi juaj është një shembull i jashtëzaknshëm se institucionet nuk mund të punojnë vetëm. SHBA është krenare që po punon me ju. Numri i dosjeve, mbushja e vakancave, ka akoma proces Vettingu, ka presion politik, pritshmëri të larta nga publiku, dhe ju do të vazhdoni të punoni,”- tha ëisner.

Pas tij, përfaqësuesi i Bashkimit Europian në Shqipëri, ambasadori Silvio Gonzato, në “Ditën e Drejtësisë” ka mbajtur fjalën e tij duke thënë se Reforma në Drejtësi është e pakthyeshme. Ndër të tjera, ai shtoi se BE e mbështet SPAK-un, e të njëjtën gjë duhet që të bëjnë edhe institucionet e tjera. 

“Arritjet e SPAk duhet të jenë të pakthyeshme. Përpjekjet për të konsoliduar arritjet e SPAK duhet të mbështeten nga të gjithë komponentët e shtetit duke përfshirë dhe qeverinë. Reformat për të parandaluar korrupsionin janë shumë të rëndësishme. Duhet të punohet me infrsatrukturën e duhur me burimet njerëzore për të pasur transparencë. Me këtë reformë është bërë shumë. BE e mbështet sistemin e drejtësisë dhe ky takim është mundësuar nga misioni i BE-së,”-tha ai.

Pas tyre, fjalën e mori presidenti Bajram Begaj, i cili pari një kërkesë për përfaqësuesit e drejtësisë së re.

"Duhet të jeni të vetëdijshëm se drejtësia e re nuk është anonime! Ajo mban fytyrën, paanësinë, pastërtinë morale dhe ndershmërinë profesionale të secilit prej jush. Sistemi është juaji. Mbajeni të pastër!”

Në fund, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja tha se mirëpret çdo propozim që kërkon angazhimin e ministrisë së Drejtësisë që synon vijimin e reformës në drejtësi, vetëm që të ketë rezultate konkrete për qytetarët.

"Pa një drejtësi që mbron të drejtat dhe liritë e qytetarit, nuk do të kemi zhvillim ekonomik në Shqipëri. Nuk mund të lë pa përmendur reformën në drejtësi që dita ditës po konsolidon vetveten. Këto dy këshilla sot janë risi në reformën në drejtësi. Sa na takon si qeveri dhe si shumicë parlamentare, do të mbështesim pa rezerva konsolidimin e një sistemi të qëndrueshëm që kontrollon llogaridhënien. Sot kemi një sistem drejtësie me një arkitekturë institucionesh. Sfidat na inkurajojnë që të rrisim bashkëpunimin ndërinstitucional. Mirëpres çdo propozim që kërkon angazhimin e ministrisë së Drejtësisë që synon vijimin e reformës në drejtësi. Luftë pa ekuivok kriminalitetit, duhet bërë pa dallime ngjyre. Duhen rezultate konkrete, të matshme për qytetarët,"-e mbylli Ulsi Manja./ZËRI

Poll

MOS HUMB