Politikë

Dështoi negociata me PS? Përgjigjet Bardhi: Nuk ka marrëveshje, Rama të numërojë hapat pas

I pyetur nëse demokratët janë tërhequr nga kërkesa për Komision Hetimor për çështjen e ish-agjentit të FBI-së, Charles McGonigal dhe fluturimeve të kryeministrit me charter, Bardhi tha se nesër do të depozitojë një tjetër kallëzim me të dhëna të reja për dosjen e ish-agjentit amerikan.

k.m.
Dështoi negociata me PS? Përgjigjet Bardhi: Nuk ka marrëveshje,
Gazment Bardhi

TIRANË- Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka ritheksuar edhe njëherë se nuk ka asnjë marrëveshje me kryeministrin Edi Rama, por se dje kishte një dialog për të rikthyer normalitetin në jetën parlamentare. Pas mbledhjes së grupit të Partisë Demokratike, Bardhi tha se normalizimi i jetës parlamentare ka qenë dhe mbetet qëllim i opozitës, duke u shprehur se edhe sot ka marrë mbështetje nga kolegët. Sa i përket kundërshtimit të deklaruar nga Ervin Salianji, Bardhi tha se është krejt normale që të ketë një mendim të kundërt. I pyetur nëse demokratët janë tërhequr nga kërkesa për Komision Hetimor për çështjen e ish-agjentit të FBI-së, Charles McGonigal dhe fluturimeve të kryeministrit me charter, Bardhi tha se nesër do të depozitojë një tjetër kallëzim me të dhëna të reja për dosjen e ish-agjentit amerikan. Shtyrjen e kësaj kërkese ia atribuoi përplasjeve mes grupimeve të Partisë Demokratike. Po ashtu, nuk la pa komentuar edhe përgjigjen zyrtare të kryeministrit Edi Rama, i cili sot tha se Partia Socialiste është 3 hapa para gjithmonë. Nga oborri i selisë së PD-së, Bardhi i tha se shumë shpejt do të nisë që të numërojë hapat pas. 

PJESË NGA PRONONCIMI PËR MEDIAT: 

Bardhi: Jemi duke punuar për të treja çështjet që diskutuam dhe ramë dakord dje në parim. PD i qëndron dakordësisë. Urojmë që kjo të finalizohet në vendimmarrjen e Kuvend.

Salianji ka deklaruar se kjo që po shitet, është nënshtrim, sepse nga 8 Komisionet Hetimore, ka fituar 2 me ligjin e ri. Sipas tij, me kryeministrin Rama nuk mund të ketë marrëveshje?

Bardhi: Nuk kam qëndrim, secili është lirë që të shprehë mendimin e tij, nuk kam asnjë koment në këtë drejtim. Grupi i PD ka vendosur atë që shprehëm dje në mbledhje. E përsëris që nuk ka marrëveshje në mbledhje, por dialog për t'i dhënë zgjidhje situatës në Kuvend. Ka një pikënisje se kur ka nisur ky aksion i opozitës dhe që është data 12 tetor, dje ka pasur dakordësi për të rikthyer atë vendim.

Përgjigje për kryeministrin Edi Rama?

Bardhi:  Nuk ka asnjë marrëveshje. E ripërsëris, nuk kam çfarë ti kundërshtoj se nuk ka marrëveshje. Ka dialog normal që palët të kenë mundësi të dialogojnë që të gjejnë zgjidhje për shqetësimet e tyre. Sa për hapa pas, e ftoj që të numërojë hapat, se do shkojë ai 3 hapa pas. Gjysma e atyre që kanë dalë në media janë fake-neës.

Për ju është ligj i mirë ai për komisionet hetimore?

Bardhi: Është anti-kushtetues dhe për këtë arsye është dërguar në Gjykatën kushtetuese. Kam thënë që hetimi parlamentar është çështje vullneti politik. Sa i takon hetimit parlamentar që nëse kjo dakordësi në parim finalizohet, hetimi do të bëhet në përputhje me Kushtetutën.

Për cilën nga komisionet, Edi Rama do të thirret dëshmitar?

Bardhi: Në varësi të të dhënave që mblidhen, caktohet edhe lista e dëshmitarëve. Nuk kam dijeni se kush do të jetë dëshmitar. Ne do vazhdojmë që do ti kërkojmë llogari kryeministrit. Sikurse është nën hetim nga drejtësia për çështje të caktuara. është kundërshtari i çdo shqiptari të ndershëm. Jemi në betejë nga dita e parë, deri në ditën që do ta mundim. Nuk ndryshon asgjë me aksionin.

Pse jeni tërhequr nga McGonigal dhe Rama me charter?

Bardhi: Nuk jemi tërhequr nga asgjë. Opozita asokohe, kishte zgjedhur rrugën e betejës mes vetes, ne jemi përqëndruar tani tek beteja me Edi Ramën. Ka 2 kërkesa pas këtij momenti, ne po i qëndrojmë vendimit të grupit parlamentar. Sa i takon McGonigal, po iu informoj që do depozitoj një kallëzim shtesë me të dhëna shtesë. Pres që drejtësia të bëjë punën e vetë.

Do prisni vendimin e gjykatës për të nisur punën për komisionet hetimore?

Bardhi: Do zbatojmë Kushtetutën.

Thatë që nuk po bëni negociata me zotin Rama, por jemi përjashtuar dhe keni thënë që Kuvendi po komandohet nga Rama, pse sot nuk po ndodh?

Bardhi: Opozita është ulur atje ku e ka vendin, gjithë dialogu është bërë në konferencën e kryetarëve.

Marrëveshja është prishur, po shkon drejt dështimit, ku është ngërçi?

Bardhi: Sa kohë puna vijon dhe nuk ka produkt final, po vijon puna për të treja çështjet. Nëse finalizohet dakordësia, vazhdojmë. Nëse nuk finalizohet, do merrni vesh arsyet. Grupi i punës është për çdo ligj që kërkon konsensus, ka pasur lajme të rreme që do prekë reformën në drejtësi, e kam qartësuar se kjo nuk është e vërtetë. Një vendim i Kuvendit që dakordësohet është i njëjti si rregullorja e Kuvendit të Shqipërisë.

Basha ka 11 deputetë pas vetes, a do ketë mundësi që të përfaqësojë opozitën?

Bardhi: Nuk e di sa i kanë ngelur, se kush përfaqëson opozitën, e përcakton opozita. Një anëtar do të jetë zoti Bylykbashi, tjetëri, nëse ngrihet struktura, do të e caktojë grupi parlamentar.

Negociatat mes opozitës dhe maxhorancës, aktualisht janë në një ngërç, pasi takimi i lënë për sot, nuk u zhvillua. Një ditë pasi u dakordësuan parimisht për 2 komisione hetimore dhe ngritjen e një nënkomisioni për Reformat. Por lidhur me këtë çështje, palët nuk e kanë ndarë ende objektin e hetimit. Kështu Konferenca e Kryetarëve u shty me kërkesë të të gjitha palëve./ZËRI 

Poll

MOS HUMB