
TIRANË- Sikur të mos mjaftonte beteja që kanë me socialistët, deputetët e grupimeve të opozitës, vijojnë përplasjet mes tyre edhe në sallën e Kuvendit. Edhe në seancën e sotme ka pasur një përplasje mes dy deputetëve të opozitës, Elda Hoti dhe Arbi Agalliu.
Arbi Agalliu, pjesë e deputetëve në grupin e Lulzim Bashës, kishte thirrur një interpelancë me kryeministrin Edi Rama, sa i takon çështjes Ahmetaj. Agalliu kërkoi që të ishte i pranishëm në seancë kryeministri Rama për të zhvilluar interpelancën sipas rendit të ditës.
Por kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla deklaroi se Rama ia kishte deleguar ministres Spiropali përgjigjen për interpelancën, çka nuk u pranua nga Agalliu.
Teksa Agalliu po fliste nga vendi, Elda Hoti ka shkuar dhe i ka tërhequr kartën dhe mikrofonin deputetit të Bashës, duke bërë që zëri i tij të mos dëgjohet në sallë. Në fund të seancës, inteperlanca dështoi, pasi sipas Lindita Nikollës Rama e kishte të pamundur që të ishte në Kuvend, për shkak të axhendës.
/ZËRI