Politikë

“Denoncuam fushatën anti-NATO të Ramës”/ Berisha u flet demokratëve nga ballkoni: PD mbështet luftën e drejtë të Ukrainës

Kryedemokrati në fjalën e tij para mbështetësve sot i është rikthyer vendimit të Gjykatës së Lartë kundër gazetarit Elton Qyno, dhe që i jep të drejtë SPAK që të detyrojë median për të zbuluar burimet e tyre. Sipas Berishës, Rama u ka vërsulur gjykatësve Altin Dumanin, që ata të ndryshonin vendimin e marrë.

a.l
“Denoncuam fushatën anti-NATO të Ramës”/ Berisha u
Sali Berisha

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka vijuar edhe sot me protestën dhe thirrjet nga ballkoni i shtëpisë ndaj mbështetësve të tij. Berisha e nisi fjalën në tubimin qytetar për 2 vjetorin e luftës së kombit të Ukrainës, kundër Putinit. Sipas kryedemokratit, kjo është një luftë shpëtimtare për lirinë e botës.

"Falë qëndresës, heroizmit legjendar të luftëtarëve të lirisë të kombit ukrainas, presidentit të nderuar Zelensky, ata që parashikuan disfatën apo mposhtjen e Ukrainës brenda javës, morët në fushat dhe malet e saj disfatën historike. Autokolonat e tankeve dhe blindave, skuadrat vdekjendjellëse të aviacionit u asgjësuan. Kombi ukrainas qëndroi për dheun e vet. Por qëndroi për të gjithë vendet e lira në Europë dhe në botë. Lufta e kombit ukrainas është një luftë shpëtimtare për Europën. Është një luftë shpëtimtare për lirinë e botës", tha ai. 

Ndër të tjera kreu i opozitës denoncoi edhe fushatën anti-NATO të Edi Ramës. Berisha tha se, PD e garanton Ukrainën në luftën e saj të drejtë.

"Edi Rama nuk iu përgjigj që në fillim sanksioneve të NATO-s dhe BE ndaj Rusisë së Putinit. Përkundrazi, ai hapi portet për mallrat dhe kontrabandën ruse. Përkundrazi, ai hapi plazhet për barbarët ruse, që pasi kryenin kasaphanë ndaj qytetarëve të Ukrainës, vinin në plazhet e Edi Ramës për të rimarrë forcat. Miqtë e mi, PD denoncoi me forcën më të madhe fushatën anti-NATO, anti-Shqipëri të Edi Ramës, në mbrojtje të padronit të tij Vuçiç, i cili kalonte nga samiti në samit me tezën se Serbia më mirë të mos zbatojë sanksionet", tha ai.

Kryedemokrati në fjalën e tij para mbështetësve sot i është rikthyer vendimit të Gjykatës së Lartë kundër gazetarit Elton Qyno, dhe që i jep të drejtë SPAK që të detyrojë median për të zbuluar burimet e tyre. Sipas Berishës, Rama u ka vërsulur gjykatësve Altin Dumanin, që ata të ndryshonin vendimin e marrë.

"Dje, Gjykata e Lartë, në kundërshtim flagrant me vendimin e para një viti, vendosi të detyrojë gazetarët të zbulojnë burimin e informacionit, në një akt shkelje flagrante të lirisë së shprehjes. Po këta gjykatës, miqtë e mi, një vit më parë, pas vendimit të Strasburgut për Lapsin, kishin vendosur po këta, se gazetarëve nuk mund t’u kërkohen burimet e informacionit. Çfarë ndodhi? Edi Rama përdori pengmarrjen. Edi Rama, siç shkruajnë mediat sot, vërsuli Dumanin kundër tyre. Dhe Dumani i kërcënoi ata për krimin e tij të shëmtuar, sepse dosjen e Nuredin Dumanit e ka shitur Skapi i partisë nga sirtarët e Altin Dumanit", tha ai.

Berisha ndër të tjera ka paralajmëruar se shumë shpejt shqiptarët do të marrin vesh se kush e kryeson gjykatën speciale. Ai deklaroi se, shqiptarët do të marrin vesh se çfarë përfaqëson Maneku-Gjoka.

"Do merrni vesh se kush kryeson gjykatën speciale. Do merrni vesh shpejt se çfarë përfaqëson Maneku-Gjoka. Se ç’përfaqëson Dumani-Kraja. Se ç’përfaqëson Sadush e kompani. Miqtë e mi, beteja çdo ditë bëhet më jetike. Çdo ditë bëhet më epike. Çdo ditë që shkon, ecim më të sigurt drejt fitores", tha ai. 

Për kryedemokratin, ata gazetarë që përdorin studiot dhe penën si hanxhar mbi opozitën janë llumi i shoqërisë njerëzore. / ZËRI

Poll

MOS HUMB