Politikë

Dënimi me 1 vit burg i Salianjit, i ashpër Berisha: Rama i ka shpallur luftë opozitës, të ngrihemi në mosbindje civile!

Për Berishën, sot duhet të ketë një aksion kundër qeverisë dhe Ramës.

k.m.
Dënimi me 1 vit burg i Salianjit, i ashpër Berisha: Rama i ka shpallur
Sali Berisha

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila vendosi të dënojë me 1 vit burg për "kallëzim të rremë". Në një reagim për media, Berisha u shpreh se sot kryeministri Edi Rama i ka shpallur luftë opozitës dhe kërkon "mosbindje civile" nga qytetarët. Për Berishën, sot duhet të ketë një aksion kundër qeverisë dhe Ramës.

Deklaratë e Sali Berishës:

Sot në luftën e shpallur ndaj opozitës, Edvin Kristaq Rama dënoi me burgim politik deputetin e opozitës Ervin Salianji për betejën e tij guximtare kundër Edi Ramës dhe narko-shtetit të tij. Sot Ervin Salianji u dënua nga Edi Rama, Geron dhe Fatzi Xhafa në një akt hakmarrje të verbër politike për faktin e vetëm se deputeti Salianji vërtetoi lidhjen dhe veprimtarinë kriminale të narko-trafikantit ndërkombëtar vëllait të Fatmir Xhafës, ministër trafikant, dhe Edi Ramës kreu i narko-shtetit shqiptar. Dënimi i sotëm i Ervin Salianjit dëshmon se në këtë vend droga dhe krimi i lidhur me qeverinë janë vendim-marrësit kryesorë në narko-shtetin shqiptar. Partia Demokratike dënon me forcën më të madhe këtë akt politik të shëmtuar të Edi Ramës dhe narko-shtetit të tij kundër Partisë Demokratike, opozitës dhe pluralizmit plitik në Shqipëri si dëshmi e terrorit të egër ndaj opozitës për Partinë Demokratike, për çdo demokrate dhe demokrat, për çdo opozitare dhe opozitar, ky akt është një kushtrim, është një SOS të ngrihemi në mosbindje civile: “O sot, o kurrë” kundër Edi Ramës dhe narko-diktaturës së tij.

Gjykata e Apelit la sot në fuqi vendimin e shkallës së parë të Gjykatës së Tiranës, që e dënoi deputetin e Partisë Demokratike me 1 vit burg, për akuzën e kallëzimit të rremë për dosjen ‘Babalja’. Vendimi i sotëm i Gjykatë së Apelit i hap rrugë arrestimit të Salianjit, i cili pritet të vuajë dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme. Salianji humb në mënyrë të menjëhershme mandatin e deputetit, për shkak se vendimi i Apelit ekzekutohet pa vonesa, edhe pse politikani demokrat, mund ta apelojë çështjen në Gjykatën e Lartë. Neni 71, pika 2, shkronja dh, e Kushtetutës, thotë se mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi. Gjykata e Shkallës së Parë vendosi se audio-përgjimi ishte inskenim dhe i shpalli fajtorë të 4 të pandehurit Fredi Alizoti, Albert Veliun, Jetmir Olldashin si dhe Ervin Salianjin. Në këtë mënyrë merr fund dhe karriera në ngjitje e Salianjit, i cili së fundi ishte caktuar drejtues politik i PD-së për qarkun e Elbasanit. Dënimi e pengon Salianjin që për 5 vitet e ardhshme të ushtrojë detyra publike./ZËRI

Poll

MOS HUMB