
TIRANË- Demokratët kanë vijuar dhe mbrëmjen e kësaj të enjteje protestën para shtëpisë së kreut të Partisë Demokratike Sali Berisha. Me dhjetëra demokratë janë mbledhur në rrugën “Mustrafa Matohiti” dhe presin që Berisha të nisë fjalimin. Ky i fundit pritet të dalë për pak në ballkon për të mbajtur fjalën.
Një natë më parë Sali Berisha theu masën “Arrest shtëpie”, të vendosur nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në lidhje me akuzën e “Korrupsionit pasiv” që rëndon ndaj tij në dosjen “Partizani”. Pavarësisht se i ndalohet të komunikojë me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë me të, Sali Berisha mbrëmë mbajti dhe mbrëmë një fjalim nga dritarja e shtëpisë, ndërsa demokratët qëndronin poshtë pallatit.
Nuk dihet ende nëse Prokuroria e Posaçme (SPAK) do të kërkojë ashpërësim të masës së sigurisë për të, pas kësaj shkeljeje, ndërsa avokatët e Sali Berishës e kanë ankimuar vendimin në Apelin e Posaçëm./ZËRI