
TIRANË- Këshilli i Mandateve në Kuvend, diskutoi sot mbi mocionin e deputetëve të opozitës, që kërkojnë heqjen e mandatit të socialistit Vullnet Sinaj, pasi sipas tyre ka shkelur Kushtetutën, duke përfituar para nga buxheti i shtetit. Mbledhja e cila u ndërpre për shkak të lajmit të ndarjes nga jeta të Gerti Bogdanit, u parapri nga debate mes Vullnet Sinajt dhe Gazment Bardhit, që ishte dhe iniciatori për mocionin.
Deputeti socialist Vullnet Sinaj, tha se ka hequr dorë nga bizneset, sapo ka marrë mandatin e ligjvënësit, ndërsa njësoj si në mbledhjen e shkuar, renditi aktet e bamirësisë që ka bërë sipas tij. Bardhi i konsideroi si përralla deklaratat e bëra nga Sinaj, duke shtuar se kur kompanitë e tij bëjnë akte pozitive, deputeti i di dhe merr meritat, ndërsa kur shkelet ligji, ai nuk di gjë.
Vullnet Sinaj: Nuk kam pasur asnjëherë si qëllim që të jem përfitues i parave publike. Kam 35 aksionerë në atë biznes, thonë që nuk bëhen bashkë 2 shqiptarë, por unë jam krenar që kam bërë bashkë 35 shqiptarë.
Ata vetë kanë vendosur që të bëjnë donacion bamirësie, se nuk më pyesin mua. I kam çuar këta njerëz të sëmurë me makinën time deri te spitali. Nuk kam lënë asnjë problem pa zgjidhur në zonën time, nuk kam asnjë kontakt me biznesin që në vitin 2017, kur iu kërkova ortakëve që të mos bënin asnjë marrëveshje me shtetin. Unë kaq kam për të thënë për momentin, nga ana ligjore dhe juridike kam sjellë avokaten që të flasë.
Më vjen keq zoti Bardhi, që nuk dorëzove mandatin tënd, dhe tani ke filluar që të merresh me deputetët e tjerë.
Gazment Bardhi: Deputeti i bën reklamë vetes, dhe nuk jep llogari për përfitimet që ka marrë nga Buxheti i Shtetit. Unë nuk di që paratë që shpërndahen për të blerë votat qenkan donacion. Siç e kam thënë dhe herën e parë, është e paarsyeshme që kur kompania dhuron, deputeti është në dijeni, kur kompania përfiton nga buxheti i shtetit, deputeti nuk di gjë se ia paska lënë biznesin një personi të besuar.
Sinaj: 7 vjet deputet nuk i kam përmendur asnjëherë, më ke plasur cipën, kur ti do të hedhësh baltë mbi mua dhe bizneset e mia dhe të më thuash ke shkelur Kushtetutën. Ka edhe një problem tjetër mes nesh, kush më akuzon mua dhe kë akuzoni ju, çfarë ke bërë në jetën tënde ndonjëherë në gjithë jetën tënde.
Në mocionin e dorëzuar nga deputetët opozitarë, thuhet se Sinaj ka shkelur Kushtetutën, pasi ka përfituar fonde publike në kundërshtim me pikën 3, të nenit 70 të Kushtetutës, i cili ndalon deputetit që të përfitojë pasuri publike.
Opozita pretendon se ekzistojnë 30 prova se si si ligjvënësi i maxhorancës ka përfituar para nga buxheti i shtetit nëpërmjet kompanive të tij gjatë kohës së ushtrimit të mandatit të deputetit.
Socialisti nuk i ka tjetërsuar aksionet, por i ka transferuar te persona të tjerë, dhe për këtë arsye demokratët akuzojnë se ai asnjëherë nuk ka humbur të drejtën e pronësisë mbi kompanitë e tij dhe marrjen e fitimeve.
Demokratët shprehen se pronësia mbi këto kompani dhe fakti që fitimet kanë shkuar si divident për vetë deputetin Vullnet Sinaj rezulton i provuar edhe nga deklaratat vjetore të deklarimit të pasurisë nga ana e tij.
Firmosësit e mocionit pretendojnë se janë të paktën 9 transaksioneve të verifikuara nga thesari i shtetit në shumën totale 3.689.814 lekë që kanë shkuar si pagesa për shoqëritë “BIGALB GROUP” sh.p.k., “BIG LISUS” sh.p.k., “BIG DURRËSI” sh.p.k., “BIG PESHKOPIA” sh.p.k., “BIG ROI” sh.p.k., “BIG LEO” sh.p.k., “BIG LEZHA” sh.p.k., “BIG DRINI” sh.p.k., “BASHKIMI” sh.p.k., “TIRANA CASH & CARRY” sh.p.k./ZËRI