TIRANË - Kryetari i PBDNJ Vangjel Dule me anë të një deklarate për mediat foli për çështjen e Fredi Belerit, duke thënë se ai ka të drejtë që të behet kryebashkiak, për sa kohë që nuk ka hequr dorë nga betimi.
“Nuk ka asnjë afat ligjor që e kufizon z.Beleri që të kryejë betimin që nga momenti që ka shprehur dëshirën për t’ju përgjigjur ligjit dhe Kushtetutës. Që nga momenti që Beleri nuk ka refuzuar që të kryejë dënimin nuk ka asnjë dispozitë ligjore që çon atë në përfundim të mandatit. Z.Beleri është kryetari i zgjedhur i Himarës dhe si i tillë do ta drejtojë atë, dhe mandati i tij përfundon në 2027-ën”, tha Dule në fjalën e tij për mediat.
Ai kritikoi censusin e vitit 2023, teksa tha se nuk po kryhet në rregull dhe se ka shkelje flagrante të të drejtave të njeriut. Sipas tij, shumë pjesëtarë të minoriteteve nuk po lejohen të deklarojnë sipas vullnetit të lirë etninë dhe fenë e tyre. Dule i ka bërë thirrje INSTAT, që të garantojë një procedurë sa më të rregullt, që procesi të mos dështojë.
“Unë bëj thirrje ndaj INSTAT, që të ndërhyjë tek regjistruesit, që të shpëtojë procesin nga shndërrimi i tij në një farsë dhe në një parodi. I bëj thirrje BE-së, që të ndjekin këtë census në vazhdimësi. Të ndiqet ky census, që të mos jetë i dështuar sa i përket minoriteteve. Regjistruesit mbajnë shënime dhe nuk hedhin në tablet të dhënat për personat që regjistrojnë. Për këto denoncime, ka persona me emër dhe mbiemër, për atë që ka ndodhur. Kjo është çështje e minoritarëve, që të ngrenë zërin e tyre për të drejtat që ata kanë. Minoritetet duhet të shprehin shqetësimet që kanë kur bëhet fjalë për demokracinë dhe shtetin e së drejtës”, tha Dule.
Dje, OMONIA me anë të një deklatrate tha se regjistruesit e INSTAT po ushtrojnë presion sa i përket regjistrimit për etninë apo fenë. Sipas organizatës, duhet që të ndërhyjet që të ndryshojë gjendja.
“Ngurrimet dhe rezervat e BDMEG OMONOIA përsa i përket procesit në zhvillim të Regjistrimit të Përgjithshëm Popullsisë dhe Banesave – Cens 2023, në veçanti për të dhënat sensibile – fakultative sipas parashikimit formal të Ligjit – për kombësinë, besimin fetar dhe gjuhën amtare, po vërtetohen në fakt. Në kuadrin e përgjithshëm u vu re gjatë gjithë javës fushatë e paargumentuar antihelenizmi në Mjetet e Informimit Masiv dhe veçanarisht në rrjetet e komunikimit social. Në syrin e ciklonit është Minoriteti Etnik Grek dhe objektiv konkret minimi i procesit përmes privimit të së drejtës së vetëdeklarimit të qytetarëve. Edhe një herë në këtë fushatë u “angazhuan” formacione politike nacionaliste, ofiqarë të shtetit dhe faktorë ndikues në opinionin publik.
Duke kumtuar rreziqe imagjinare që gjoja rrjedhin nga regjistrimi zyrtar i prezencës së shtetasve me origjinë Helenike në rajone që sipas peceptimit dhe praktikës mbizotëruese nuk përfshihen në “zonat minoritare”, synojnë manipulimin e regjistruesve dhe më në përgjithësi të minojnë zhvillimin normal të procedurës. Agresivitet analog konstatohen edhe përsa i përket komunitetit Orthodhoks, Kishës së tij dhe udhëheqjes së saj shpirtërore. Autoritetet kompetente për realizimin e Regjistrimit qëndrojnë indiferentë duke lehtësuar në këtë mënyrë nxjerrjen nga shinat të procesit sipas ambicieve të qarqeve Antihelene që orkestrojnë gjithë këtë fushatë. Konstatohen gjithashtu edhe shkelje thelbësore përsa i përket organizimit dhe implementimit në fazën e mbledhjes së të dhënave në shumë raste, dëshmi kjo se edhe një herë tjetër besueshmëria e rezultateve është vënë në dyshim esencial. Në gjithë gjeografinë ku për shumë arsye fokusohet kujdesi i strukturave të BDMEG.
Te OMONOIA vijnë informacione shqetësuese. Regjistruesit shpesh herë paraqiten pa pajisjen e nevojshme elektronike dhe mbledhin të dhënat me shënime shkel e shko. Në shumë raste nuk i referohen fare pjesës së Pyetësorit që lidhet me të dhënat mbi kombësinë, fenë dhe gjuhën amtare. Refuzojnë të marrin parasysh deklarimin e banorëve për pjesëtarët e njësisë familjare që nuk janë prezentë. Në mënyrë të përsëritur nuk u kthehen verifikimit të përgjigjeve për konfirmim para regjistrimit definitiv në platformën e Regjistrimit. Vihen re raste të përsëritura ku regjistruesit ushtrojnë presion emocional të pamotivuar tek qytetarët kur këta këmbëngulin për të regjistruar përgjigjet për origjinën e tyre Helenike dhe besimin Orthodhoks. Për më tepër në banesa ku regjistruesit abuzivisht konsiderojnë se banorët e tyre nuk jetojnë aty nuk bëjnë aktin e njoftimit me shkrim për përsëritjen e anketimit sipas përcaktimeve të Rregullores së Regjistrimit.
Për më tepër është e patolerueshme fakti se autoritetet kompetente në njësitë vendore për ndjekjen në vijim të procesit, manifestojnë indiferencë të qëllimshme ndaj ankesave të qytetarëve përsa i përket shkeljeve të rregullave të Regjistrimit. Duke ndërmarr këtë denoncim të parë të deformimeve dhe shkeljeve serioze që konstatojmë në javën e parë, përsërisim apelin tonë Komitetit Shtetëror të Regjistrimit që pa vonesa dhe justifikime të ndërhyjë me qëllim ndryshimin e gjendjes. Njëherësh fillojmë menjëherë vënien në dijeni për situatën të autoriteteve të BE që financon procesin dhe Komitetin e Monitorimit të Konventës Kuadër për Mbrojtjen e Minoriteteve Etnike të Këshillit të Evropës që në mënyrë zyrtare ka nënvizuar proceduart e mëparshme me deformime dhe në dëm të personave që u përkasin minoriteteve”, thuhej në deklaratën e OMONIA-s./Zëri.ai/