
TIRANE- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha komentoi për herë të parë humbjen e kandidatit të "Bashkë Fitojmë", Emri Vata, në garën e 24 shtatorit për zgjedhjen e kryetarit të ri të Bashkisë Kukës. Në një bisedë me Adi Krastën në Syri Tv, Berisha se Partia Socialiste shpërndau para me thasë dhe se 2 mijë patronazhistë tjetërsuan votën.
“Çfarëdo që të bënte kandidati i opozitës Emri Vata ai kurrë nuk e realizonte dot fitoren. Në 2 mijë patronazhistë që janë të regjistruar në qarkun e Kukësit kanë tjetërsuar votën. Belinda Balluku dhe Taulant Balla kanë shpërndarë thasë me para 1 javë resht. Dy mënyra ka për të blerë votën. Njëra është blerja e votës dhe marrin kartën që mos votosh. Mënyra e dytë është të blen votën, të thotë do shkosh të votosh për PS dhe merr pagesën. Këtë e ndajnë në promocion të njëjtë në çdo qendër votimi. Me Edi Ramën unë garantoj çdo shqiptar që nuk do të ketë zgjedhje të lira”, tha Berisha.
Kryedemokrati gjithashtu tha se "zgjedhje të lira me Ramën kryeministër nuk do të ketë".
Prej më shumë se dy ditësh, lideri i opozitës nuk e kishte komentuar rezultatin e zgjedhjeve në Kukës. Emri Vata humbi 2 mijë vota nga 14 maji, krahasuar me kandidatin Admir Sinamati, ndërsa Albert Halilaj fitoi me një diferencë të thellë prej 5600 votash./Zeri.ai