TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me lajmet s Banjat Termale të Bënjës janë tharë dhe betonizuar. Përmes një postimi në rrjete sociale, Rama ka publikuar edhe një video me pamje të sotme nga Banjat e Bënjës, duke i hedhur poshtë këto pretendime dhe duke i cilësuar si dezinformim të shpërndarë në rrjet.
Ai thotë se lajmet janë përhapur përmes manipulimeve në rrjete sociale dhe i quan ato një “raketë digjitale” të nxitur për të krijuar alarm publik.
Kreu i qeverisë thekson se në zonë nuk bëhet fjalë për shkatërrim apo betonizim, por për një projekt publik rigjenerimi dhe ndërhyrjeje në kuadër të Rilindjes Urbane.
Postimi i plotë i Ramës:
Prej 24 orësh është lëshuar një tjetër “raketë” digjitale, që algoritmi e ka shpërthyer në qindra mijëra lajke e mallkime, për shkatërrimin, betonizimin dhe tharjen e Banjove Termale të Bënjës
Me të njëjtën metodë dhe me “ndihmën” e të njëjtave duar të huaja, që i dhanë algoritmit “dopingun” për një turravrap të paparë në përhapjen e alarmit për flamingot, organizatorët e kësaj trazire që synon të rrëzojë qeverinë e të kthejë mbrapa Shqipërinë, duke manipuluar njerëzit që kanë shqetësime të sinqerta, kërkojnë ta kthejnë Bënjën në një casus belli të ri
Kush do të vërtetën e ka në këtë video, SOT, nga Banjot e Bënjës, ku s’ka flamingo, s’ka shitblerje, s’ka pronarë e as konflikte pronësie, po ka thjesht një projekt publik rigjenerimi e Rilindjeje Urbane, në funksion të mijëra e mijëra vizitorëve e turistëve që shkojnë aty çdo vit.
Reagimi i kryeministrit vjen pasi gjatë ditëve të fundit, banorë dhe turistë të huaj, kanë ngritur shqetësimis sipas tyre, për ndryshime të dukshme në zonën e Banjave të Bënjës në Përmet. Lidhur me këtë situatë, sipas raportimeve, pas ndërhyrjeve të realizuara në kuadër të një projekti zhvillimi në zonë, disa prej vaskave termale kanë shfaqur prurje më të ulëta uji, ndërsa në disa pjesë janë vërejtur ndryshime në pastërti dhe prani algash.
Të vendosura rreth 13 kilometra nga qyteti i Përmetit, Banjat e Bënjës janë një nga destinacionet më të njohura natyrore dhe kurative në Shqipëri. Punimet në zonë janë pjesë e projektit “Bënja – Destinacion Ndërkombëtar Turistik”, i financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, me qëllim përmirësimin e infrastrukturës dhe rritjen e aksesit për vizitorët. Projekti me vlerën limit rreth 209.7 milionë lekë, ndërsa kontrata është fituar për rreth 162.7 milionë lekë pa TVSH, pikërisht nga kompania "Ergi" në pronësi të Nuri Ballës./ZËRI
