
TIRANË- Avokatët mbrojtës të Sali Berishës kanë apelur vendimin e Gjykatës së Posaçme, që la nën masën e arrestit të shtëpisë ish-kryeministrin.
Avokatët e Berishës kishin 5 ditë kohë që të apelonin vendimin e dhënë të shtunën e 30 Dhjetorit nga ana e Gjykatës së Posaçme, dhe kanë shfrytëzuar këto afate për të dorëzuar sot kërkesën për ndryshimin e masës.
Gjykata e Posaçme vendosi të shtunën për t'i dhënë Berishës masën e arrestit të shtëpisë, si dhe ndalimin e tij për të komunikuar me persona që nuk janë pjesë e familjes së tij.
Gjykata e Posaçme pranoi të shtunën kërkesën e SPAK për shtrëngimin e masës së sigurisë për ish-kryeministrin i dyshuar për kryerjen e veprës penale “korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim në aferën e privatizimit të ish kompleksit Partizani.
Pasi Berisha nuk e respektoi masën e sigurisë "detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, GJKKO e konvertoi masën në "arrest shtëpie". Vetë Berisha e ka cilësuar arrestimin e tij politik, ndërsa ka deklaruar se kjo është një vepër e Edi Ramës për të izoluar aksionin opozitar në vend.
Gjatë këtyre ditëve ka pasur disa grumbullime poshtë banesës së Berishës, ndërsa dje mbështetësit i përshëndeti dhe e bija e tij Argita Malltezi/ ZËRI