
TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha, nga dritarja e shtëpisë së tij nga ku del çdo mbrëmje, ka folur për ngjarjen që është bërë kryefjalë e të gjitha mediave vendase, bashkëshortin e ministres Delina Ibrahimaj. Berisha u shpreh që një njeri që plagos dikë me thikë e arratiset nuk kashanse ta marrë pafajsinë në asnjë shtet tjetër, përveçse në Shqipëri. Sipas Berishës, Andri Ibrahimaj është kthyer në Shqipëri vetëm pasi ka marrë garanci se për plagosjen nga Eri Koshajn, do t’i pushohej çështja. Kreu i PD-së komentoi dhe reagimin e vetë ministres Ibrahimaj, e cila tha se mënyra e vetme që kishte ndikuar ishte duke mos e paditur Koshajn. Sipas Berishës, kjo gjë tregon se ajo është delinkuente.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Të dashur miq, diktatura e Enver Hoxhës ishte më e egra, më barbarja, më mizorja. Ajo çoi përpara skuadrave të pushkatimit mijëra shqiptare për arsye politike, për qëllime politike. Por një gjë do t’u them, sigurisht po të dilje kundër, nga burgu, kampi gjer te skuadra e pushkatimit të prisnin. Por ama, një rast se burri i një ministreje rrihte një drejtor, ju garantoj ju se ministrja shkarkohej dhe i shoqi burgosej. Kjo ndodhte në diktaturë, kjo ndodh sot në Vietnam, kjo ndodh sot kudo, por jo në narkoshtetin e Edi Ramës. Andri Ibrahimaj, burri i ish-ministres së Financave, tani ka një ministri tjetër, i del përpara drejtorit të Ministrisë së Financave, i fut thikat pasi ai refuzon të largohet nga detyra. I kërkon të japë dorëheqjen sepse atë vend do e merrte një mik i tij. Çan ferrën, arratiset dhe kthehet pasi ministrja Ibrahimaj me Edi Ramën, me Agaçin dhe pafytyrë të tjerë, i jep pafajësinë. Kurse sot, imagjinojeni ju, këtë delinkuente, sot deklaronte se gabimi im është se nuk e padita drejtorin. Që burri i saj i futi thika. Me raport mjekoligjor Miq, a ka nënçmim, a ka shkelmim më të madh se ky mbi qytetarët? Ndaj dhe zemërimi ynë nuk duhet të njohë kufi. Poshtërsia e tyre nuk ka kufi, dhunimi i të drejtave tona nuk ka kufi. Zemërimi ynë nuk ka kufi. Ne do fitojmë. Ne do fitojmë. Ne do fitojmë. Rrofshi ju, fitore. Ditën e martën, të gjithë të pranishëm në fitore, qytetarë dhe qytetarë të Tiranës, të firmosim fitoren të martën.
Kur ndodhi ngjarja?
Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Tefta Pashko”, pranë “Pazarit të Ri” në kryeqytet, në orët e mbrëmjes së datës 21 nëntor të vitit të kaluar. Andri Ibrahimaj i kishte zënë “pritë” Koshajt dhe pas përplasjes verbale, ka nxjerrë thikën dhe e ka qëlluar në pjesën e shpinës, siç thuhet edhe në raportin mjekoligjor. Sipas dosjes së publikuar në media, Andri Ibrahimaj donte të dorëhiqej Koshaj në mënyrë që në vendin e tij të vendosej një miku i vet. Në një reagim për ngjarjen, Brahimaj konfirmon që kjo gjë ka ndodhur por shton se nuk ka lidhje me funksionin e saj si Ministre dhe se nuk ka ndodhur në zyra shtetërore. Ajo gjithashtu thekson se i vetmi ndikim që ka pasur, ka qenë që ka mundësuar që bashkëshorti i saj të mos e kallëzonte Koshajn dhe se ky i fundit nuk është shkarkuar nga detyra pas konfliktit.