
TIRANË- Bashkia e Tiranës i ka dhënë titullin qytetar nderi kreut të BDI-së Ali Ahmeti, për kontributin e tij në çështjen e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. I pranishëm në ceremoninë e zhvilluar në ambientet e këshillit bashkiak të Tiranës ka qenë dhe kryeministri Edi Rama, dhe personalitete të rëndësishëm të politikës shqiptare ndër vite. Rama tha se vetëm Ali Ahmeti mund të bënte që ai të kthehej në ambientet e bashkisë, të cilën e ka drejtuar për 2 mandate. Rama “ironizoi” dhe kryeministrin Albin Kurti, kur tha se nuk përfshihet në zgjedhjet e vendeve të tjera.
“Vetëm Ali Ahmeti mund të më kthente këtu sot. Sot Tirana nderon një shqiptar ndër më të mirët të historisë shqiptarë. Një histori me mundime të mëdha dhe për shkak të fuqive të mëdha për të cilët Shqipëria ishte një bezdi. Nuk besoj se ka komb tjetër që e ka vuajtur më shumë përçarjen mes vetit. Ali Ahmeti një shqiptar që iu ngjit maleve të rezistencës për liri dhe të drejta në Maqedoni. Por me armë nuk kërkoi gjakderdhje, por vendosi në rendin e ditës domosdoshmërinë e pranimit të shqiptarëve.
Armët në krahun e asaj rezistence nuk synonin ndarjen e Maqedonisë, por bashkimin e saj në të njëjtin flamur të popullit shqiptar dhe maqedonas. Rruga që hapi Ali Ahmeti ishte ajo e një misioni patriotik paqeje. Armët nuk ishin një shaka aventurierësh, por deklarata e sosjes së durimit nga shpërfillja diskriminuese. Është ende herët për t’u shkruar historia e këtij shqiptari ndër më të mirët. Ali Ahmeti është mjeshtri më i madh i përdorimit të armës së diplomacisë. Pa Ali Ahmetin, shqiptarët në RMV nuk do të ishin në ditën e tyre më të mirë.
Ky mund të jetë rasti, por nuk është momenti që unë ta shtjelloj më tutje këtë që sapo thashë, sepse nuk dua në asnjë mënyrë, që një shprehje e plotë e opinionit tim sot, të lexohet si ndërhyrje në fushatën zgjedhore të vendit fqinj, ku ne nuk kemi asnjë qëllim që të ndikojmë në vendimmarrjen e zgjedhësve të atij vendi, qoftë edhe të shqiptarëve, të cilëve u them që vetëm të shohin interesit e Republikës së Maqedonisë së Veriut, që sot është më shumë se kurrë, edhe e tyrja, krah për krah me bashkëqytetarët e tyre maqedonas, e të gjitha minoritetet që jetojnë atje, e ta mbrojnë republikën e tyre ashtu si edhe pozicionin e tyre si shqiptarë nga ndikime të jashtme, që synojnë gjërat që nuk kanë asnjë lloj lidhje me stabilitetin dhe mirëqenien e shtetit fqinj, e që në asnjë rast, nuk mund tu sjellin shqiptarëve asgjë më të mirë se çfarë kanë arritur, por mund tu sjellin atyre dëme mbi atë se çfarë kanë arritur”, tha Rama.
Ishte kryebashkiaku i Tiranës, ai që mbajti fjalën në nisje të ceremonisë i cili tha se është nder në historinë e kryeqytetin shqiptar që të ketë qytetar Ali Ahmetin.
“Nuk është Tirana që nderon Ali Ahmetin me titullin “Qytetar nderi” është nder në hisotrinë e Tiranës që ju na jepni duke qenë pjesë e familjes sonë, e skuadrës sonë dhe e misionit tonë.
Nuk është vetëm Tirana që nderon burrin, që e ka shqiptarinë bosht të ekzistencës së vetë, por Tirana vetë nderohet duke vlerësuar një figurë të jashtëzakonshme, si miku ynë, vëllai ynë, kryetari ynë Ali Ahmeti”, tha Veliaj.
Gjatë Luftës së vitit 2001 në Maqedoni Ali Ahmeti ishte Përfaqësues Politik i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK). Pas Luftës së vitit 2001, Ali Ahmeti në vitin 2002 formoi partinë e tij politike të njohur si Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe u zgjodh kryetar i saj.
Lideri i BDI ia dedikoi këtë nderim të gjithë bashkëluftëtarëve të tij, duke listuar dhe disa nga arritjet e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
“Iu falënderoj nga zemra. Kjo është Tirana e Adem Jasharit. Kjo është Tirana e Zahir Pajazitit, por kjo është edhe Tirana e Xhev Krasniqit. Kjo nënë Tirana, Shqipëria ka qenë e varfër, por ne na ka mbajtur ngrohtë. Ju falënderoj, por një plak më tha mos e falënderoni njëri tjetrin pasi ju të gjithë keni punuar në arën tuaj.
Që kur e kemi nisur veprimtarinë e kemi nisur për bashkimin e tokave shqiptare. Rrethanat ndryshuan dhe ne ndryshuam strategjinë duke parë gjeopolitikat, strategjitë dhe u përkushtuam në çlirimin e Kosovës. Shqiptarët që morën pjesë në luftën e Kosovës, ca u vranë në burgjet e Idrizovës, dhe kjo ishte situatë e papërballueshme. Shqiptarët në RMV ishin të diskriminuar. Sot ju e keni Skënderbeun në qendër të Tiranës, por edhe unë e kam në Shkupin e vjetër. Ju e keni flamurin kombëtar, por edhe unë dënohem nëse nuk e kam në zyra. Ja kemi marrë kazermat Mlladicit. Kemi 3 universitete. Kemi dhe shumë punë për të bërë.
Do doja t’iu falënderoja për mbështetjen që na ka dhënë shteti shqiptar. Unë e njoh Tiranën e 1991 dhe sot nuk e njoh, humb në të dhe nuk e di ku jam. Tirana është krejt tjetër dhe kjo gëzon çdo shqiptar. Do të përpiqem të jem qytetar i disiplinuar. Çdo aktivitet që do të kemi, do të jem pjesëtar. Ky nder unë e ndaj me të gjithë bashkëluftëtarët, të burgosurit politik në RMV dhe Kosovë. E ndaj me 3000 mbetje mortore që i kam në vendlindje, që janë vrarë për këtë gjuhë e këtë flamur”, tha Ahmeti.
/ZËRI