Politikë

Interpelancë për krimin, Balla: Sapo janë arrestuar dy personazhe të krimit, rrisim pagat e policëve në 1 Korrik

“Sapo janë arrestuar dy personazhe të botës së krimit, dhe do të ekstradohen nga Italia dhe Spanja”, tha Balla në fjalën e tij në Kuvend

E.K
Interpelancë për krimin, Balla: Sapo janë arrestuar dy personazhe
Taulant Balla dhe Ervin Salianji

TIRANË- Është duke u zhvilluar në Kuvend, interpelanca mes deputetit të Partisë Demokratike Ervin Salianji, dhe ministrit të brendshëm Taulant Balla, në lidhje me kriminalitetin në vend. Salianji tha se në të gjitha operacionet që zhvillohen kundër trafikut të drogës, arrestohen vetëm persona me role të parëndësishme, pasi drejtuesit nuk arriten që të kapen nga Policia. Deputeti diskutoi në Kuvend edhe ngjarjen e rëndë që ndodhi në Dropull, ku një çift të moshuarësh u gjetën të vdekur në banesë me shenja dhune.

“Vdekja e dy të moshuarve në Dropull. Policia thotë për shkak të dhunës ndaj tyre. Vjedhjet grabitjet dhe mungesa e sigurisë publike është kthyer në tmerre për qytetarët. Prej vitesh, situata e kriminalitetit në Shqipëri është e rëndë. Ministria e Mbrojtjes duket se është e pafuqishme për të reaguar për çdo rast”, tha Salianji.

Ndërkohë që në fjalën e tij ministri Balla u shpreh se nën drejtim e tij, policia e shtetit është duke pastruar imazhin e nxirë nga e shkuara. Balla tha se në muajin Korrik do të rriten pagat e efektivëve të policisë, ndërsa njoftoi dhe arrestimun e dy personazheve të botës së krimit, në Itali dhe Spanjë.

“Sot Shqipërisë i është pastruar imazhi i nxirë nga një e shkuar e rëndë shumë vjeçare. Çfarë thotë turistët kur vijnë në Shqipëri? Fjala e parë që artikulojnë është “siguria”. Janë turistë që vijnë nga vende ku siguria nuk është problem. Ata thonë se “del në Tiranë natën dhe nuk ke ndjesi që dikush do të vijë të vjedhë orën apo do të marrë çantën”. Kjo ndodh në disa qytete europiane. E kemi mbyllur vitin 2023 me 0 ngjarje kriminale fatale ndaj vizitorëve të huaj. Na duhet ti ofrojmë më shumë mbështetje policisë së shtetit. Jemi në fazën e fundit të konsultimeve me kryeministrin dhe ministrin e financave për t’i akorduar një rritje të madhe policëve në korrik”, tha Balla.

Sipas tij “Goditjet e forta kundër grupeve kriminale vijojnë të intesifikohen. Janë arrestuar në Itali dhe Spanjë dy personazhe të tjera të botës së krimit që do të ekstradohen. Në 2023 ishte niveli më i ulët i ngjarjeve kriminale. Ishin 35 krahasuar me 107 në vitin 2013, ishin 124 në 2012. 28 janë ngjarje të zbuluara dhe fatkeqësisht ⅓ e tyre janë ngjarje krimi në familje”.

“Sapo janë arrestuar dy personazhe të botës së krimit, dhe do të ekstradohen nga Italia dhe Spanja”, deklaroi më tej Balla në fjalën e tij në Kuvend.

Poll

MOS HUMB