
TIRANË- Gazment Bardhi ka lajmëruar sot është kërkuar në SPAK për të deponuar lidhur me akuzat që i ka drejtuar vëllait të kryeministrit Edi Rama, Olsit, se ka qenë pjesë e bandës së Xibrakës. Dokumenti i publikua nga kreu i grupit të Partisë Demokratike ka sjellë reagimin e kreut të qeverisë, Edi Rama, i cili shkruan se tashmë Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka mundësinë të ndajë të vërtetën nga shpifja. Sipas Ramës, dy mundësi ka: 1. Bardhi ka zbuluar një trafikant droge në rrethin e tij familjar, ose 2. Bardhi do të duhet që të dënohet për shpifje.
"Llafet i merr era, ndërsa drejtësia vepron vetëm me ligje e me prova, prandaj tani pas llafeve të mëdha edhe një detaj i vogël mungon dhe pastaj jemi krejt në rregull! Pra mungon konfirmimi në dëshminë ligjore para SPAK-ut nga vetë B-ja i vogël me gojën e madhe, se kur ka shkruar “Informacion” në fakt kallzuesi i rremë nuk ka dashur t’ia hedhë me procedurë rrezikut që vjen nga marrja si i pandehur për kallzim të rremë, po thjesht ka pasur një moment lajthitje profesionale. Në rast se plotësohet kjo mungesë domethënëse për fatin e të vërtetës, atëherë SPAK-u ka të gjithë mundësinë ta ndajë të vërtetën nga shpifja dhe viktimën nga fajtori. Pra o B-ja e vogël ka zbuluar një trafikant droge në rrethin tim të ngushtë familjar dhe trafikantit duhet t’i hiqet menjëherë liria, o gojës së madhe i duhet vënë proteza e ligjit! Ka vetëm një të vërtetë në këtë mes dhe s’ka asnjë rrugë të mesme,"-shkruan në rrjetin e tij social "X", Rama.
Pas Ramës, pati një reagim edhe nga ana e Bardhit. Në postimin e tij, demokrati i liston një pyetje kreut të qeverisë.
"Kur piktori bën si jurist! Vëllai i madh i Olsit paska marrë avokat shumë të dobët! Megjithatë lajm i mirë shumë që ka marrë avokat! Për këto çështjet e trafikantëve të drogës do t'i këshilloja Edi Ramës të nxirrte Ëngjëll Agaçin të flasë se ka eksperiencë në avokatinë e tyre. E ka bërë lëmsh dhe s’di çfarë shkruan, por në një pikë duket dora e tij: aty ku i jep urdhra SPAK-ut. Gabim i rëndë që, zakonisht, e bën sa herë ka një hall. Halli i ri i Ramës mban numrin 88, dosja e rinisjes së hetimeve nga SPAK për Olsi Ramën dhe kokainën e Xibrakës. Derisa ta thërresë SPAK-u për shpjegime, mund t’u kursejë shqiptarëve kohë dhe t’u thotë me fjalë piktori: ÇFARË E LIDH OLSIN ME MAKINËN AA 653 DM?,"-shkruan Bardhi.
Pak javë më parë, kreu i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi, akuzoi Olsi Ramën si pjesë e grupit të laboratorit të kokainës në Xibrakë. Sipas Bardhit, Rama kishte lidhje dhe njohje me një prej personat kryesorë të këtij grupi, si dhe përmes sistemit TIMS është faktuar udhëtimi disa herë me të njëjtën makinë me Genci Xhixhën, Ermal Hoxhën dhe të akuzuarit e tjerë.
Sipas Bardhit, emri i Olsi Ramës ishte kursyer nga prokurorët e krimeve të rënda të asaj kohë, dhe për kërë opozita kërkoi në SPAK një hetim të ri për vëllanë e kryeministrit. Nga ana tjetër, edhe Olsi Rama kallëzoi në SPAK, Gazment Bardhin nën akuzën e shpifjes, dhe tha se njëri prej tyre duhet të përgjigjet përpara drejtësisë në lidhje me akuzat. Por SPAK nuk e pranoi kallëzimin duke shtuar se në fakt nga ana e Bardhit nuk ishte bërë asnjë kallëzim penal, por vetëm kishte ofruar informacion për një çështje të arkivuar./ZËRI