
TIRANË- Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ka zhvilluar një takim me shefin e delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato. Pas takimit me kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të dy kanë dhënë një prononcim të shkurtër për media e pranishme. Edhe njëherë, ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato ka theksuar se Bashkimi Europian nuk ka ndërhyrë dhe nuk do të ndërhyjë në procesin zgjedhor dhe as në raportin e OSBE-ODHIR. Sipas tij, të gjithë ata që e njohin atë dhe Bashkimin Europian, e dinë mirë që kjo gjë nuk ka ndodhur.
Gonzato: Lajmi që u përhap se ne kemi ndikuar të në raportin e ODIHR për të hequr emra, është i rremë. Nëse njerëzit me njohin mua dhe Bashkimin Europian e dinë që është një lajm i rremë. Ne besojmë tek ODIHR, i cili është përgjegjës për monitorimin e procesit. Çdo aktor politik e di metodologjinë e përdorur nga ODIHR në raporte te tyre. Ata janë të pavarur dhe ne e mbështetim këtë. Këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme, pasi janë të parat pas hapjes së negociatave me Shqipërinë për interesimin. Takova zotin Celibashi sepse doja një përditësim si mund të mbështesim komisionin. Kemi besim të plotë tek ta dhe do vijojmë mbështetjen pas zgjedhjes financiarisht dhe besojmë se kanë bërë një punë të shkëlqyer.
Sa i përket mënyrë sesi u komentua reagimi i Ambasadës, qëndrim që u pa si "përplasje" me Partinë Demokratike, Gonzato shtoi se reagimi kishte të bënte vetëm me lajmin dhe jo me partitë politike.
"Unë nuk bëj deklarata para zgjedhjeve. Kemi besim te ODIHR, po bëjnë një punë të mrekullueshme dhe ka një mision të rëndësishëm këtu. Lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit është në zemër të negociatave. SPAK ka një detyrë të rëndësishme. BE është këtu për të mbështetur Shqipërinë, jo të ndërhyjmë në procese. Nuk jemi këtu për të manipuluar asgjë,"-shtoi ambasadori.
Një pyetje iu drejtua edhe për kontratën e lobimit prej 6 mln dollarësh të Partisë Demokratike, por ambasadori u shpreh shkurt: Nuk bëj komente, do të pres autoritetet kompetente!
Nga ana tjetër, Celibashi zbardhi detaje nga takimi me Gonzaton.
"Shkëmbyem mendime në lidhjje me momentin e këtyre përgatitje, ashtu sikurse ambasadori tha jemi në proces të vazhdueshëm bashkëpunimi dhe mbështetje nga delegacioni i BE për procesin zgjedhor në tërësi dhe mënyrë të veçantë KQZ. Ndamë të njëjtën pikëpamje mbi rëndësinë e këtyre zgjedhjeve. Është e nevojshme që secili prej nesh, institucionet publike përgjegjëse për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe partitë politike duhet të reflektojnë për të pasur zgjedhje për integritet."
Sa i përket problematikave zgjedhore dhe rastet e votuesve nga jashtë që ende nuk i kanë marrë fletët e votimit, Celibashi u shpreh se vetëm 7 zgjedhës nuk janë pajisur me fletën e votimit. Po ashtu, sqaroi se kompania "DHL" do t'i mbajë zarfet deri më 8 maj, nëse nuk tërhiqen nga votuesit do të detyrohet që t'i kthejnë pas në Shqipëri.
"Në total numri i problematikave të raportuara në KQZ janë vetëm 7 votues që kanë deklaruar që se kanë marrë fletën e votimit. DHL ka detyrimin që të mbajë në zyrat e saj, zarfe që s’kanë mundur t'jua dorëzojë votuesve deri në 8 Maj,"- u shpreh Celibashi.
I pyetur për SPAK, ai tha: Po, në javën që po mbyllet kemi pasur në mënyrë peridike kësaj jave komunikime konkrete me SPAK për problematika të ndryshëm për procesin zgjedhor, për denoncime të bëra në këtë strukturë por edhe informacione që kanë ardhur në KQZ. Brenda 24 orësh ia kemi dalë që vëmë në dispozicion çfarë prej tyre është kërkuar.
Por ka zgjedhur që të mos japë detaje të tjera./ZËRI