Politikë

A ishte zjarri në Kuvend kulmi i aksionit të opozitës? Flasin Berisha e Bardhi

Pse opozita nuk po shkon drejt përshkallëzimit të aksionit, siç ka paralajmëruar më herët për një grevë urie?

E.K
A ishte zjarri në Kuvend kulmi i aksionit të opozitës? Flasin
Sali Berisha dhe Gazment Bardhi

TIRANË- Sali Berisha dhe Gazment Bardhi kanë deklaruar se aksioni i opozitës për bllokimin e seancave do të vijojë, edhe pse socialistët në më pak se 5 minuta votuan të gjitha ligjet e parashikuara në axhendën e Kuvendit. I pyetur nga gazetarët nëse ky është kulmi i skenarit që paralajmëroi Berisha, ish-kryeministri tha se opozita po provon para qytetarëve paligjshëmrinë e Kuvendit.

“Ju e patë vetë skenën më të shëmtuar në historinë 32-vjeçare të parlamentit. Ju e patë vetë se si banorët e fermës së Edi Ramës, lexo Xhorxh Oruellit, kaluan brenda 5 minutash, aktin themelor të vitit, buxhetin e shtetit.

E kaluan në mënyrë antikushtetuese, antiligjore, sepse ky buxhet erdhi këtu jo mbi bazën e procedurave që përcakton Kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit, por erdhi si një proces klandestin, i zhvilluar në mejhane me ahengje dhe në mënyrë të paparë. Kështu siç nisi, ne erdhëm këtu për të bllokuar procesin, në mënyrë që buxheti, akt themelor i vitit në parlament, të merrte të gjithë dimensionet që i takonin, por ata e kaluan atë brenda 7 minutash, në frikë dhe tmerr.  E votuan, por nuk votoi askush, nuk ka asnjë evidencë për votimin, as për ndonjë gjë tjetër, përveç cicërimit si papagall të shërbëtores së Edi Ramës, Lindita Nikollës.

Kjo dëshmon drejtësinë e betejës pa kthim të opozitës, e cila edhe sot korri një fitore në betejën e saj pa kthim, pasi u bëri të pamundur hajdutëve të mbrojnë vjedhjen e tyre të mashtrojnë shqiptarët me vjedhjen e tyre. I bëri të pamundur Edi Ramës të ligjërojë për buxhetin e vjedhjes më të madhe në histori, buxhetin e gjobës më të madhe ndaj shqiptarëve. Beteja pa kthim e opozitës vazhdon”, tha  Berisha, ndërkohë që të njëjtin qëndrim mbajti dhe kreu i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi.

“Pse po dështojmë, a të duket seancë normale ty kjo? 4 minuta e 20 sekonda seancë plenare do të thotë se Kuvendi është futur në paligjshmëri. Ne nuk kemi thënë që socialistët nuk kanë forcën e kartonit, beteja jonë është ti tregojmë çdo qytetari që ky nuk është Kuvendi që i përfaqëson ata. Vota jonë nuk ka fuqi që ti japë forcë ligjeve”, u shpreh Bardhi.

Në seancën e sotme në Kuvend, punonjësit e Gardës janë bërë mburojë para deputetëve të opozitës në mënyrë, që të shmangnin konfliktin fizik. Për herë të parë pas një muaji në sallën e Kuvendit ishte i pranishëm dhe vetë kryeministri Edi Rama, makina e të cilit u pa në oborr rreth orës 09:00 të mëngjesit.

Rama nuk mbajti asnjë fjalim në Kuvend, për shkak të kohës së shkurtër që zgjati seanca. Ishte drejtuesja e Kuvendit Lindita Nikolla ajo që i komunikoi përjashtimin nga seanca deputetit Flamur Noka, pas ndezjes së tymuesve në sallë.

Ndërkohë që zjarrin në një prej tavolinave të deputetëve të opozitës, mësohet se e ka vendosur deputeti Bledion Nallbati, i cili ka një process të hapur në SPAK, pas përplasjes në një prej seancave me deputetin socialist Vullnet Sinaj./Zëri.ai 

Poll

MOS HUMB