
TIRANË- Kryetari i Partisë Demokatike, Sali Berisha, në një konferencë që dha për mediat, u pyet nga gazetarët për zgjedhjet e vitit 2025, se a do të jetë pjesë e listave të hapura apo të mbyllura dhe se a do kandidojë vajza e tij, Argita Malltezi. Për këtë të fundit, Berisha tha se i takon që ta marrë vetë vendimin, por fillimisht duhet të bëhet pjesë e primareve.
“Të them të vërtetën në çdo listë për mua është njëlloj dhe nuk kam asnjë impresion. Sa i përket Argita Malltezi, atë nuk e vendos unë, por vetë ajo, nëse dëshiron primaret janë të hapura. Por nuk e di nëse ka ndonjë ambicie apo jo”, tha kryedemokrati.
Sali Berisha, i cili u mor i pandehur nga SPAK për dosjen “Partizani” nën akuzën e korrupsionit pasiv, u pyet gjithashtu nëse ka një plan “B” për Partinë Demokratike nëse dënohet nga GJKKO.
Ai la të nënkuptohet se nuk do të tërhiqet teksa u shpreh se përpjekja për të uzurpuar PD do të dështojë.
“Rreth dy vite më parë Rama e Balla organizuar atentat ndaj meje në mes të ditës. Në korridoret e këtyre kriminelëve flitej se janë orët e fundit të Sali Berishës, vazhdova miting pa asnjë plan B. Përpjekja për ti uzurpuar PD udhëheqjen, dështoi dhe do të dështojë, kjo është betejë për sovranitetin e vendit, për themelin”, tha Berisha.