Politikë

8 dhjetori/ PD e ndarë, 'harrohet' Azem Hajdari! Basha 'pushim'. Rama 'ndez motorët' për 2025

Ky 8 dhjetor, ashtu si dhe i shkuari vërtetoi se as përvjetoret festive nuk i bashkojnë më demokratët, të cilët sot jo vetëm në qendër por dhe në bazë u panë të distancuar.

Edon Kuqi
8 dhjetori/ PD e ndarë, 'harrohet' Azem Hajdari! Basha
Edi Rama, Sali Berisha dhe Lulzim Basha

TIRANË- 8 Dhjetori, Dita e Rinisë e gjeti edhe këtë vit të ndarë Partinë Demokratike ndërkohë socialistët në Kongresin e tyre të jashtëzakonshëm, i cili nisi prej paraditës së kësaj të premteje dhe vijon ende, ku i pranishëm është dhe Kryeministri Edi Rama. Një 8 dhjetor ndryshe nga të shkuarit në aspektin e ngjarjeve, por ama me figura të njëjta.

Partia Demokratike (E drejtuar nga Sali Berisha)

Me sa duket Kongresi i 8 dhjetorit i Partisë Socialiste e “zbehu” këtë vit festën e demokratëve, duke ‘rrëmbyer’ vëmendjen mediatike më të madhe. Dhe pse në kampin opozitar duket se kishte rënë qetësia dhe nuk ishin përgatitur aktivitete.

Sali Berisha preferoi të qëndronte në seli dhe të mjaftohej me dy organizime modeste, kryesisht me të ftuar dhjetoristë të 1990-tes. Berisha mbajti një fjalë përshëndetëse kur nuk i kurseu akuzat për Qeverinë ndërkohë që në krahasim me vitet e shkuara prezenca nuk ishte ajo që mund të pritej.

Ajo që ra në sy ishte “harresa” që Sali Berisha i bëri Azem Hajdarit në Ditën e Rinisë. Në axhendën e selisë blu që në orët e para të mëngjesit nuk njoftohej për homazhe në bustin e tij në Qytetin Studenti, ku dhe nisi revolta e 8 dhjetorit që do të ndryshonte fatin e Shqipërisë përgjithnjë. Ndërkohë që dhe pasditja nuk solli asgjë të re.

8 dhjetori/ PD e ndarë, 'harrohet' Azem Hajdari! Basha
Aktiviteti në selinë e PD

Partia Demokratike (E drejtuar nga Lulzim Basha)

Lulzim Basha nuk mori pjesë këtë të premte në asnjë aktivitet të organizuar nga partia e tij. Për shkak të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, “festën” ua besoi të tijëve ndërkohë që atmosfera ishte e vakët. Ndërsa vetë reagoi përmes një postimi në rrjetet sociale nga Senati Amerikan. Një organizim në Hotel Tirana ishte gjithçka e përgatitur ndërkohë që kishte mungesa të shumta sa u përket themeluesve dhe drejtuesve ndër vite.

8 dhjetori/ PD e ndarë, 'harrohet' Azem Hajdari! Basha
Aktiviteti PS e Bashës

Grupi i Gazment Bardhit

Grupi i deputetëve që mbështet Gazment Bardhin vendosi që këtë 8 dhjetor të mos marri pjesë në organizimet e zhvilluara nga Partia Demokratike e drejtuar nga Sali Berisha. Asnjë nga deputetët përfshirë dhe Gazment Bardhin nuk u panë në selinë e PD. Ndërkohë Bardhi nuk harroi të komentonte Kongresin e PS. Në një postim në rrjetet sociale, ai ka publikuar foton e socialistëve të hetuar nga SPAK për shpërdorim detyre apo korrupsion. 

Ky 8 dhjetor, ashtu si dhe i shkuari vërtetoi se as përvjetoret festive nuk i bashkojnë më demokratët, të cilët sot jo vetëm në qendër por dhe në bazë u panë të distancuar.

Partia Socialiste mbledh Kongresin

Kongresi i Partisë Socialiste duket se e “veniti’ festën e demokratëve dhe pse dhe ai nuk prodhoi asgjë të re. I mbledhur në Pallatin e Kongresve që prej paraditës, Kongresi bëri bashkë socialistë të vjetër dhe të rinj, të cilët për më shumë se një orë dëgjuan fjalimin e Kryeministrit Edi Rama. Ky i fundit kishte zgjedhur të ulej krah Lindita Nikollës dhe Gramoz Ruçit.

8 dhjetori/ PD e ndarë, 'harrohet' Azem Hajdari! Basha
Edi Rama në Kongres

Fjalën e tij Edi Rama e përqëndroi në arritjet që sipas tij, socialistët kanë bërë gjatë 10 viteve qeverisje ndërkohë që u ndal tek Reforma në Drejtësi, Siguria dhe Ekonomia. Më shumë se një Kongres i zakonshëm ky i sotmi ishte një “ndezje motorësh” për fushatën elektorale të 2025-es, që Rama garantoi se PS do të fitojë mandatin e 4-tërt qeverisës.

8 dhjetori i vitit 1990-të nisi me ëndrrën e të rinjve për një “Shqipëri si gjithë Europa”, por a është kjo e sotmja Shqipëria që ata ëndërronin të ndërtonin? Kjo kërkon shumë diskutim./ZËRI

Poll

MOS HUMB