Politikë

20 deputetë të përjashtuar/ Çfarë pritet të ndodhë në seancën e sotme në Kuvend

Në seancën e sotme janë në rendin e ditës një sërë vendimesh të rëndësishme për t’u kaluar, siç është vendimi i qeverisë për rikthimin e basteve sportive, apo marrëveshja me Italinë

E.K
20 deputetë të përjashtuar/ Çfarë pritet të
Seance me tensione ne Kuvend

TIRANË- Prej afro 4 muajsh seancat plenare në Kuvend janë shënuar nga momente tensioni, të cilat pritet që të përsëiten edhe këtë të enjte të datës 8 Shkurt. Në seancën e sotme janë në rendin e ditës një sërë vendimesh të rëndësishme për t’u kaluar, siç është vendimi i qeverisë për rikthimin e basteve sportive, apo marrëveshja me Italinë, për ta shndërruar Shqipërinë në një kamp për emigrantët. Po ashtu në rendin e ditës është dhe ligji për dekoratat, drafti i të cilit u kthye nga presidenti Begaj për rishikim pasi qeveria synonte që t’i hiqte atij të drejtën e dhënies së dekoratave.

Po ashtu do të kalojë ligji për tenderët. Qeveria ka vendosur të ristrukturojë dhënien e tenderëve duke krijuar një agjenci të posaçme që merret me to. Nga ana tjetër mbetet pezull amnistia në burgje, edhe pse gjatë ditës së djeshme pati një dakordësi në parim mes socialistëve dhe grupit të deputetëve të Lulzim Bashës. Këta të fundit kërkuan miratimin e një amandamenti, që përfshin në amnisti të gjithë protestuesit e PD-së, gjatë kohës kur këto protesta udhëhiqeshin nga Lulzim Basha. Për kalimin e amnistisë duhen 84 vota, dhe për këtë duhet një dakordësi me bazë të gjerë në Kuvend.

Nga ana tjetër tensionet në seancën e sotme janë të pritshme, edhe për shkak të numrit të madh të deputetëve të PD-dë që janë përjashtuar nga seancat plenare.

“Etika” morri dje vendimin që deputetët Bledjon Nallbati, Asllan Dogjani dhe Flamur Noka të përjashtohen nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare për 20 ditë. Ndërkohë për deputetin Gazment Bardhi masa disiplinore ishte 10 ditë. Në total numri i deputetëve të përjashtuar llogaritet që të jetë 19, çka e bën të vështirë edhe punën për pjesën tjetër të deputetëve që do të tentojnë bllokimin e seancës plenare.

Me rregulloren e re të Kuvendit, që socialistët e miratuan në mënyrë të njëanshme, janë rritur masat e pezullimit për deputetët. Mirëpo gjatë ditës së djeshme Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim ankimimin e deputetëve të opozitës, dhe pritet që ky institucion të thojë fjalën e fundit, nëse janë të lejueshme përjashtimet me 2 muaj të deputetëve.

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB