
TIRANË- Partia Demokratike mbylli dje procesin e Primareve, duke nxjerrë një "panoramë" më të qartë të atyre që mund të jenë kandidatë për deputetë, ndërkohë nga socialistët nuk ka ende emra. Më në heshtje, Partia Socialiste e ka mbyllur përzgjedhjen përmes platformës "Deputeti që duam", ndërkohë një takim pritet të ndodhë shumë shpejt.
Kryeministri dhe kryesocialisti, Edi Rama do të zhvillojë një retreat qeveritar në 7-8 mars në vilën qeveritare 30. Në takim do të mblidhen ministrat, kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali dhe Kryesia e grupit parlametar të PS. Me shumë gjasa në takim do të planifikohet strategjia për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 12 maj, e po ashtu mund të diskutohet edhe për emrat që do të përfshihen në listat e kandidatëve për deputetë. Kjo për shkak se ky "retreat" vjen vetëm disa ditë para përfundimit të afatit për dorëzimin e kandidatëve për deputetë në KQZ./ZËRI