TIRANË- Kolegji Zgjedhor ka marrë sot vendimin përfundimatr, teksa ka vulosur zgjedhjet e 11 majit për qarkun e Elbasanit, Fierit, Durrësit, duke rrëzuar kështu ankimimet e PD-së. Partia Demokratike kërkoi pavlefshmërinë e zgjedhjeve dhe përsëritjen tyre në këto qarqe, me pretendimin për parregullsi dhe manipulime gjatë votimit dhe numërimit. Megjithatë, Kolegji Zgjedhor i ka konsideruar të pabaza këto pretendime.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Marash Logu akuzoi Kolegjin Zgjedhor se u bë pjesë e paligjshmërisë. Sipas tij, pretendimet për shitblerje të votës janë ngritur edhe nga OSBE-ODIHR, ndërsa vendimin e sotëm e konsideroi trajtim sipërfaqësor të provave që tregojnë shkeljet e 11 majit.
“Pati shitblerje të votës, nuk e thotë vetëm PD, por OSBE-ODIHR, pati intimidim të zgjedhësve, përdorim të shtetit në funksion të partisë, pati partonazhim kriminal të zgjedhësve dhe vullneti të tyre, pati shkelje të rënda të votës së diasporës. Këto shkelje i dinë të gjithë shqiptarët, vetëm dy janë organet në Shqipëri që nuk i dinë shkeljet, KAS, noterët e Ramës për farsën elektorale të 11 majit dhe fatkeqësisht edhe trupa e Kolegjit Zgjedhor që vendosi të bëjë një trajtim krejt sipërfaqësor të atyre që ishin purova dhe fakte ta pamohueshme për shkeljet shumë të rënda që kanë ndodhur më 11 maj”, tha Logu.
Pas këtij vendimi, është kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilirjan Celibashi ai që do të shpërndajë mandatet zyrtarisht për të lënë vendin në vjeshtë betimit të 140 deputetëve në parlament./ZËRI