TIRANE- Gardiani i burgut të Durrësit, Fatjon Baci, tashmë me akuzë zyrtare nga SPAK për 'futje të sendeve të palejuara' në qeli, rrezikon 1-3 vite burg pasi i dha telefonin kryebashkiakut të arrestuar Erion Veliaj, për të komunikuar me familjarët e tij. Në dëshminë e tij, të siguruar nga ZËRI, Baci shpjegon se Veliaj i ka kërkuar telefonin para mbërritjes në SPAK dhe pas mbarimit të seancës gjyqësore. Në dëshminë e tij, ai thotë se Veliaj ka qarë dhe ka shprehur keqardhjen që djali do të rritej vetëm.
"Skam ca të them, e kanë me mua personale”. Nuk i mbaj mend detajet e tjera, por di që ka bërë dhe një telefonatë tjetër me bashkëshorten e tij, ku i tha që të kujdesej për djalin dhe unë dëgjova Erionin që po qante. I thoshte që nuk është e drejtë që djali të rritet vetëm, nuk i kam bërë keq njeriu, nuk ka të mirë për të mirin."-thotë Baci.
Më tej shton se pasi i ka kthyer telefonin, Veliaj nuk i ka thënë as "faleminderit".
“Mbaj mend se e kemi pritur dhe, pasi mbaroi seanca, nuk e mbaj mend orën fiks, por pasi ka dalë nga gjyqi, e kemi hipur në furgon ku jemi nisur për në IEVP Durrës. Para se të kalonim shinat e trenit, pranë SPAK-ut, më ka kërkuar prapë telefonin për të bërë një telefonatë me vëllain. Unë ia kam dhënë, nisur nga frika që kisha për shkak të pushtetit dhe personit që përfaqësonte."
"Në telefonatë, ai ka folur me vëllain, ku thoshte se avokatët i kishin thënë që në seancë ke folur ‘10/10’, pra shkëlqyeshëm. Edhe Erioni i thoshte vëllait se avokatët kishin thënë se nuk kishin parë njeri kaq të përgatitur. Gjatë komunikimit me vëllain, Erioni i ka thënë se mund të kishte shpresë që të dilte, pasi vendimi ishte shtyrë për një ditë tjetër. Erioni shprehej se nuk ishte i kënaqur që shpallja e vendimit ishte shtyrë."
"Mesa kujtoj, pasi mbaroi bisedën me vëllain, Erioni nuk ma ktheu telefonin, sepse bëri një telefonatë tjetër pa më thënë mua. Kujtoj se ka biseduar me gruan e tij. Këtë gjë e kuptova sepse u dëgjua një zë femre. Me gruan foli për të njëjtat gjëra si me vëllain. Erioni i thoshte gruas se në seancë kishte folur edhe për përgjimet që i kishin bërë. Gjatë bisedës me bashkëshorten, Erioni i kërkonte që të shkonte të takonte avokatin për të bërë një prokurë apo kontratë, që të mos ia vinte ‘aforfe’. Pra, kërkonte të bënte kontratën për emërimin e avokatit."
"Pasi foli me gruan, më tha nëse mund ta përdorte telefonin edhe për disa minuta, pasi donte të lexonte lajmet. Unë ia lashë në përdorim për rreth 5 minuta. Shfletoi internetin në Safari, hapi faqen e Top Channel dhe Tema, lexoi artikujt dhe më ktheu telefonin."
"Kur më ktheu telefonin, nuk më tha asgjë. As ‘faleminderit’. Kam dorëzuar Erionin në IEVP dhe jam larguar për në banesë. Gjatë rrugës verifikova numrat, të cilët ishin po të njëjtët me ata që kishte biseduar një ditë më parë, pra dy numrat: vëllai dhe bashkëshortja. Numrin tjetër që përmenda më sipër, që kishte ‘21’, nuk e gjeta. Kam fshirë thirrjet dhe kam vijuar programin tim ditor.”/ZËRI