TIRANË-Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave mori disa vendime në lidhje me pronësinë, ndërtimet dhe mbetjet. Sa i përket mbetjeve është miratuar një projektligj, i cili përcakton rregullat për funksionimin e sistemit të menaxhimit të mbetjeve. Projektligj parashikon ngritjen e një Operatori Kombëtar për Trajtimin e Mbetjeve, proces që tashmë nuk do të jetë më në dorë të pushtetit vendor, por Bashkitë do jenë ‘klientë’, ndërsa parashikon edhe ashpërsimin e sanksioneve për ndotësit.
I. Projektligji “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”
Ky projektligj ka për qëllim krijimin e një sistemi të qëndrueshëm për menaxhimin e mbetjeve në Republikën e Shqipërisë, me synim mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit publik, si dhe përdorimin më efikas të burimeve natyrore, duke mbështetur kalimin drejt ekonomisë qarkulluese.
Projektligji përcakton rregullat për funksionimin e sistemit të menaxhimit të mbetjeve, duke u fokusuar në:
• parandalimin ose reduktimin e mbetjeve;
• minimizimin e ndikimeve negative nga krijimi dhe trajtimi i tyre;
• rritjen e eficiencës në përdorimin e burimeve.
Nga fusha e zbatimit të këtij ligji përjashtohen disa kategori të posaçme, si shkarkimet në atmosferë, tokat e paprekura, dherat e pastra të përdorura për ndërtim, mbetjet radioaktive, anijet e dala jashtë përdorimit, mbetjet nga aktivitetet minerare, ujërat e përdorura dhe nënproduktet shtazore të caktuara.
Ky projektligj është i përafruar me Direktivën 2008/98/KE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit “Mbi mbetjet”, duke siguruar harmonizimin e legjislacionit kombëtar me standardet e Bashkimit Evropian.
Këshilli i Ministrave ka miratuar edhe koston mestare të ndërtimit. Në udhëzimin e fundit thuhet se kostoja e ndërtimit të banesave do të jetë pesëdhjetë e gjashtë mijë e katërqind e nëntëdhjetë e një mijë lekë për metër katror.
U DH Ë Z I M PËR MIRATIMIN E KOSTOS MESATARE TË NDËRTIMIT TË BANESAVE NGA ENTI KOMBËTAR I BANESAVE, PËR VITIN 2025
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “dh”, të nenit 72, të ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
U DH Ë Z O N:
1. Kostoja mesatare e ndërtimit të banesave nga Enti Kombëtar i Banesave, në shkallë republike, për vitin 2025, të jetë 56 491 (pesëdhjetë e gjashtë mijë e katërqind e nëntëdhjetë e një) lekë/m² për sipërfaqe shfrytëzimi.
2. Kostoja mesatare e ndërtimit sipas qyteteve, për vitin 2025, të jetë sipas tabelës nr.1, që i bashkëlidhet këtij udhëzimi.
3. Për qytetet, për të cilat nuk janë nxjerrë vlerat e kostos mesatare të ndërtimit, merren vlerat e kostos së ndërtimit të qytetit më të afërt, sipas tabelës nr.1, që i bashkëlidhet këtij udhëzimi.
4. Në rastet kur ka ndryshime të çmimit të zërave, mbi bazën e të cilave llogaritet kostoja mesatare e ndërtimit në manualin e integruar të çmimeve të ndërtimit, kostoja e ndërtimit, sipas manualit të integruar të çmimeve, e gjeneruar nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania”, prevalon mbi koston mesatare të ndërtimit të përcaktuar në këtë udhëzim.
5. Ngarkohen Ministria Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Enti Kombëtar i Banesave dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij udhëzimi.
Ky udhëzim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Po ashtu në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave vendosi shpronësimin për interes publik të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rehabilitimi i Qendrës Kinostudio”. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Tiranë.
VKM:
V E N D I M PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “REHABILITIMI I QENDRËS KINOSTUDIO”, BASHKIA TIRANË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rehabilitimi i Qendrës Kinostudio”, Bashkia Tiranë.
Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Tiranë.
Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall”, “ndërtesë”, “apartament” dhe “njësi”, me një vlerë të përgjithshme prej 135 729 849 (njëqind e tridhjetë e pesë milionë e shtatëqind e njëzet e nëntë mijë e tetëqind e dyzet e nëntë) lekësh.
Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 135 729 849 (njëqind e tridhjetë e pesë milionë e shtatëqind e njëzet e nëntë mijë e tetëqind e dyzet e nëntë) lekësh përballohet nga Bashkia Tiranë.
Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Bashkia Tiranë.
Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Tiranë.
Në momentin e ekzekutimit të procedurave për likuidim, për çdo pasuri, objekt shpronësimi, që miratohet me anë të këtij vendimi, do të kërkohet dokumentacion pronësie i rifreskuar për secilin pronar, i konfirmuar nga institucioni kompetent, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, me qëllim verifikimin e kufizimeve përkatëse që mbartin kartelat e pasurive, në bazë të të cilave do të vlerësohet dhe do të bëhet procedura e ekzekutimit të këtij vendimi.
Bashkia Tiranë kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Tiranë.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Veri dhe Drejtoria Vendore Tiranë Jug, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistrimin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Tiranë për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Tiranë për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Tiranë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Veri e Drejtoria Vendore Tiranë Jug, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA