TIRANË- Partia Demokratike (PD) do të mbledhë sot Kryesinë, në orën 13:00, për herë të parë pas zgjedhjeve të 11 majit. Mbledhja do të nisë me një fjalë nga kryetari i partisë Sali Berisha në sallën “Azem Hajdari” drejtuar anëtarëve, ndërsa më pas pritet që diskutimet të zhvillohen me dyer të mbyllura.
Ky është takimi i parë i demokratëve ku disa figura të njohura kanë kërkuar të analizohet humbja në zgjedhje, kurse Sali Berisha e ka etiketuar 11 majin si “farsë zgjedhore”.
Selia Blu bëri me dije më herë në njoftimin e saj se, në mbledhjen e sotme do të diskutohet mbi vendimmarrjen e saj në lidhje me qëndrimet e opozitës. Po ashtu, fokus të veçantë do të kenë edhe diskutimet që lidhen me denoncimet e deritanishme për zgjedhjet e 11 majit.
Nga ana tjetër, më 11 shtator, do të mbahet Asambleja e Partisë Socialiste (PS), kryeministri Edi Rama do të bëjë publike emrat e kabinetit të ri qeveritar. Ndërkohë, një ditë më pas, 12 shtator, do të nisë sesioni i ri i Kuvendit.
Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar datën e mbledhjes së Parlamentit të ri të Legjislaturës së XI. Parlamenti do të mbajë seancën e parë në datën 12 shtator, në orën 10:00. Në parlamentin e ri, PS do të ketë 83 deputetë. Ndërsa nga 140 që të hyjnë në Parlament, 72 prej tyre janë të rinj dhe ulen për herë të parë në Kuvend.
Nga zgjedhjet e 11 majit, Partia Socialiste ka fituar 83 mandate, Partia Demokratike dhe aleatët e saj 50 vende deputetësh, PSD 3 mandate, Mundësia 2 mandate, Lëvizja Bashkë 1 mandat dhe Nisma Shqipëria Bëhet 1 mandat./ZËRI