TIRANË- Këshilli i Ministrave ka miratuar sot një sërë vendimesh, mes të cilave rregulla të reja për mënyrën si do të financohen projektet nga fondet e lojërave të fatit. Do të krijohet një Këshill i posaçëm që vendos cilat projekte përfitojnë para, bazuar në aplikime dhe konkurrim të hapur.
Projektet duhet të aplikojnë brenda një afati minimal 30 ditë dhe do të përzgjidhen sipas ndikimit, transparencës dhe kapaciteteve për zbatim. Financimi do të jepet me këste: një pjesë në fillim, pjesa më e madhe gjatë zbatimit dhe pjesa e fundit në fund të projektit.
Po ashtu Qeveria ka marrë një vendim të ri për shtetasit ukrainas në Shqipëri, duke u zgjatur afatin e qëndrimit pa leje deri në mars 2027. Sipas vendimit të miratuar nga Këshilli i Ministrave, qytetarët ukrainas do të mund të hyjnë pa vizë në Shqipëri dhe të qëndrojnë pa leje qëndrimi deri më 30 mars 2027.
Këshilli i Ministrave vendosi të tjera:
-Miratimin e kushteve të negociimit të shoqërisë shtetërore “KAYO”, sh.a., me shoqëri private për krijimin e një shoqërie të përbashkët për prodhimin, montimin, riparimin dhe tregtimin e mjeteve fluturuese pa pilot.
-Shpalljen e disa zonave me përparësi zhvillimin e Ekonomisë Malore në bashkitë: Këlcyrë, Poliçan, Cërrik, Lushnje.
-Përcaktimin e afatit të hyrjes e të qëndrimit të shtetasve të Ukrainës në Republikën e Shqipërisë. Sipas këtij vendimi shtetasit e Ukrainës lejohen të hyjnë pa vizë në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe të qëndrojnë pa leje qëndrimi deri më 30.3.2027. Shtetasit e Ukrainës, të cilët gjenden në territorin e Republikës së Shqipërisë, lejohen të qëndrojnë pa leje qëndrimi deri më 30.3.2027.
-Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr.145, datë 20.2.2013, të Këshillit të ministrave, “Për pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë me përfaqësues në Shtabin “EUFOR”, në kuadër të operacionit ushtarak “Althea”, të Bashkimit Evropian, në Bosnjë-Hercegovinë”.
-Për dhënie mendimi Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për projektligjin joqeveritar “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.61/2012, “Për Akcizat në Republikën e Shqipërisë”.