TIRANË-Erion Veliaj, kryebashkiaku i Tiranës, i cili ka qenë në krye të Bashkisë që nga viti 2015 është shkarkuar nga detyra. Këshilltarët socialistë dhe demokratë bashkuan votat në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak për ta shkarkuar kryebashkiakun nga detyra, i cili qëndron në paraburgim që prej 10 shkurtit 2025 kur dhe u arrestua me vendim të GJKKO pas kërkesës së SPAK.
Motivi që Këshilli Bashkiak Tiranë votoi për shkarkimin e Erion Veliajt është mosparaqitja në detyrë prej më shumë se 3 muaj. Veliaj ka sqaruar në kërkesën e tij se mungesa për më shumë se tre muaj, nuk është si pasojë e vullnetit të tij, por si rrjedhojë e një mase sigurie, të cilën do ta kundërshtojë në të gjitha instancat gjyqësore.
Por procesi nuk mbaron me 50 votat pro shkarkimit...
Këshilli Bashkiak duhet të kalojë aktin Prefekti i Qarkut dhe ky i fundit ja dërgon propozimin për shkarkimin e Veliajt, Qeverisë. Akti duhet të kalojë tek Këshilli i Ministrave për të vulosur vendimin. Kështu, shpallet vakanca për Bashkinë e Tiranës.
Vendimi i shkarkimit i cili do ti hapë rrugë zgjedhjeve të parakohshme në Tiranë, pritet të kundërshtohet nga Erion Veliaj. Ky i fundit ka të drejtë të ankimojë vendimin e marrë në Gjykatën Kushtetuese brenda 15 ditëve. Kushtetuesja më pas është organi që jep verdiktin.
Shkarkimi-rruga drejt zgjedhjeve të parakohshme
Ishte vetë kryeministri Edi Rama, i cili i hapi rrugën mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme për Bashkinë e Tiranës, teksa nga mbledhja e Asamblesë së Partisë Socialiste, i kërkoi Këshillit shkarkimin e Erion Veliajt. Për postin e lënë bosh nga "lali Eri", Rama zgjodhi edhe kandidaten socialiste për të garuar. Ajo është Ogerta Manastirlu, emri i së cilës u bë i dituar gjatë asamblesë së PS më 11 shtator.
Nga ana tjetër drejtimi i Bashkisë së Tiranës duket se po shihet si një "barrë" për opozitën, duke qenë se kandidatët potencialë, dhe emrat me kuotuar kanë refuzuar kandidimin. Ende asnjë kandidat nga opozita dhe shumë demokratë me hezitim për t'u bërë pjesë e zgjedhjeve. Gara për Tiranën është më e rëndësishmja pas zgjedhjeve të përgjithshmë, dhe kjo mund të jetë mundësia e 'artë' për opozitën për një rikthim të fuqishëm, e ku më mirë se përballë pushtetit. Gjithsesi me shkarkimin e Veliajt, gjërat përshpejtohen dhe opozita do të ketë një kandidat.
Procesi ka dy rrugë, ku së pari Erion Veliaj nuk e ankimon vendimin e shkarkimit në Gjykatën Kushtetuese dhe Partia Socialiste hyn në garë dhe pret kandidatin e opozitës apo partive të reja. Në rastin tjetër Veliaj ankimon vendimin dhe posti për kryetar Bashkie bllokohet deri në momentin që shprehet Gjykata.
Tashmë 'sytë' janë nga zgjedhjet e reja dhe qëndrimi i Veliajt pas shkarkimit./ZËRI