Politikë

Veliaj reagon nga burgu për ndryshimet në Bashkinë e Tiranës: Keqkuptim! Firmosa me idenë e gabuar

Veliaj tha se ridelegimi i kompetencave ishte i gabuar për shkak se kishte menduar që ekipi drejtues ishte dakordësuar më parë.

k.m.
Veliaj reagon nga burgu për ndryshimet në Bashkinë e
Erion Veliaj

TIRANË- “Keqkuptim,”- kështu është shprehur kryebashkiaku i arrestuar Erion Veliaj për shkarkimin e Anuela Ristanit. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Veliaj është tërhequr nga vendimi i tij për të shkarkuar Ristanin dhe për ta zëvendësuar atë me Sara Goxhajn, nënkryetares tjetër të bashkisë së Tiranës. Veliaj tha se ridelegimi i kompetencave ishte i gabuar për shkak se kishte menduar që ekipi drejtues ishte dakordësuar më parë.

Ndërsa për raportimet në disa media se ka pasur një përplasje me kryeministrin Edi Rama, Veliaj i hedh poshtë këto aludime, teksa shprehet se ka "mall" të takohet. Për gabimin e ndodhur, Veliaj fajëson mungesën e informacionit që ka për atë që ndodh në botën e jashtme, jashtë qelisë.

Si përfundim, Ristani do të vazhdojë që të qëndrojë si kryetare e komanduar e Bashkisë së Tiranës. Deri më tani, nuk ka ende një reagim nga ana e kryeministrit.

"U informova që paska plasur peshku në moçalet mediatike për përplasjen time me Ramën, për punë delegimesh. E para njëherë, me Ramën kam vetëm mall të takohem për të folur për punët si gjithmonë dhe asgjë tjetër s’më shkon në mendje. E dyta, kam firmosur një ridelegim me idenë e gabuar se ishte dakordësuar brenda ekipit drejtues, por kështu është kur “punon” pa informacionin e mjaftueshëm. E fundit, kërkoni e gërmoni ku të doni tani, se u bë sport ky falë edhe prokurorit tim të dashur, por në marrëdhënien time me Ramën lodheni kot fare fare, se është plazmuar në kohëra të vjetra dhe nuk e ndryshon dot asnjë kohë, sado e mallkuar qoftë. Delegimi është rikthyer aty ku ishte dhe këtu mbyllet edhe keqkuptimi", shkuan Veliaj në postimin e tij në Facebook.

Ditën e sotme u njoftua se Ristani u shkarkua nga posti i saj si kryebashkiakja e komanduar e Tiranës dhe u zëvendësua nga Goxhaj. Dokumenti ishte firmosur nga kryebashkiaku i arrestuar, Erion Veliaj. Por, siç sqaron, ky ishte një keqkuptim për shkak të mungeës së komunikimit me ekipin e drejtimit.

Anuela Ristani u komandua në këtë post një ditë pas arrestimit të Erion Veliajt, i cili u vendos në pranga më 10 Shkurt. Që prej asaj dite, Veliaj është mbajtur në qelinë e paraburgimit me kërkesë të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi mbi të rëndojnë disa vepra penale. SPAK e akuzon Veliajn se bashkë me të shoqen ka krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash OJF. Kështu kanë përfituar së paku 1.1 milionë euro në 9 raste./ZËRI

Poll

MOS HUMB