Politikë

U rrethua nga protestues pas daljes nga Kuvendi, reagon deputeti Bido: S'kam frikë, por...kjo dhunë s'duhet pranuar

Bido theksoi se nuk është ndjerë i frikësuar, por e cilësoi këtë sjellje si të papranueshme dhe shqetësuese për shoqërinë, duke shtuar se “ky lloj agresiviteti nuk duhet normalizuar”.

zh.ll
U rrethua nga protestues pas daljes nga Kuvendi, reagon deputeti Bido:
deputeti i rrethuar nga protestuesit-ardit bido

TIRANË- Deputeti i PS-së për qarkun e Vlorës, Ardit Bido, ka reaguar lidhur me tensionet dhe incidentet e regjistruara të enjten para Parlamentit, gjatë protestës së zhvilluar nga disa qytetarë.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Bido ka përshkruar episodin e ndodhur sipas tij pas daljes nga Kuvendi, duke thënë se është përballur me një grup protestuesish që e kanë rrethuar dhe fyer në mënyrë të vazhdueshme.

Sipas deputetit socialist, gjatë momentit kur po largohej nga Kuvendi, është ndalur për të komunikuar me disa protestues, por më pas, sipas tij, është afruar një grup më i madh dhe më agresiv. Ai shtoi, se bëhet fjalë për disa protestues, ku disa prej tyre janë nxitur nga parti të vogla apo të mëdha që shkojnë drejt dhunës.

Bido theksoi se nuk është ndjerë i frikësuar, por e cilësoi këtë sjellje si të papranueshme dhe shqetësuese për shoqërinë, duke shtuar se “ky lloj agresiviteti nuk duhet normalizuar”.

Postimi i Bidos:

Ka dy lloj protestash. Një protestë ku qytetarët dalin me meme kreative, me kërkesa të qarta, që pas protestës mbledhin mbeturinat dhe që kthehen në shtëpitë e tyre duke shprehur politikisht mendimin e tyre.

Ka dhe një lloj tjetër proteste: atë të agresivitetit, të fyerjeve, të konfrontimit edhe të dhunës verbale, që e kemi parë shpesh në rrjetet sociale e që dje e pamë edhe live.

Teksa dilja nga Parlamenti dje, pas një dite të gjatë pune për të shkuar drejt makinës sime, u ndalova te disa protestues duke komunikuar normalisht.

Më vonë, erdhi një grumbull i madh, agresiv, me fyerje dhe me dhunë… që mund të shkonte drejt dhunës fizike, pavarësisht se unë nuk e pashë në asnjë moment diçka të tillë si një rrisk real.

Këtë lloj proteste të dytë, unë e tëkuaj. Në jetën time publike e në një vit e ca politike, nuk më gjeni dot asnjë moment që kam përdorur fyerje, që kam deformuar mbiemrin e dikujt, që kam bërë etiketim të pambështetur në fakte, sepse unë besoj se kjo shoqëri nuk ka nevojë për këtë lloj paradigme. Nuk ka nevojë për këtë lloj dhune, nuk ka nevojë për këtë lloj agresiviteti.

Ajo që pamë dje është se disa protestues, ose më saktë një grumbull i njerëzve të cilët janë të nxitur nga parti të vogla apo parti të mëdha, shkojnë drejt dhunës. Krejt ndryshe nga ajo protesta e sensitivitetit që mbledh mbeturinat në fund të një mitingu. Dhe këtë, ne nuk duhet ta pranojmë si shoqëri.

Mua nuk më tremb kjo gjë. Sepse unë nuk besoj se në vendin tim duhet të kem frikë se ku shkoj e ku eci. Unë nuk besoj se askush në vendin tim duhet të ketë frikë se ku shkon dhe ku ecën. Ama, këtë lloj dhune ne nuk duhet ta pranojmë. Ky është destabilizim.

Çfarë ndodhi dje-Episodi ndaj deputetit Bido me protestuesit

Protestuesit arritën të rrethonin pikat kryesore të daljes së Parlamentit, duke u zënë pritë deputetëve dhe ministrave që po tentonin të largoheshin. Deputetët e mazhorancës u pritën me thirrje dhe fishkëllima nga protestuesit, para Kuvendit. 

Në momentin e daljes, deputeti socialist Ardit Bido, u kap në befasi dhe u gjet i rrethuar plotësisht nga turma e qytetarëve. Protestuesit i kanë drejtuar akuza të ashpra në fytyrë, duke e etiketuar me thirrjet "Hajdut" dhe duke i kërkuar në kor "Lësho mandatin!". Madje, u desh ndërhyrja e menjëhershme e efektivëve të policisë për të çarë turmën me shpejtësi dhe për të bërë të mundur nxjerrje e Bidos nga rrethimi./ZËRI

Poll

MOS HUMB