TIRANË- Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Flamur Noka është tensionuar për votat e Diasporës. Noka ka urdhruar numëruesit e Partisë Demokratike që të ndërpresin procesin. Ai kërkon që votat e Greqisë të lihen mënjanë e të mos numërohen për momentin.
“Këtu është bërë masakër. Çdo votë e Greqisë të kalojë mënjanë. Do numërohen më vet,e një nga një, kaq. Asnjë votë e Greqisë të mos numërohet. Të gjitha të lihen më vete, që të numërohen në fund,”- dëgjohet të thotë Noka.
Votat e Greqisë kanë sjellë përplasje. PD pretendon se është bërë krim zgjedhor pasi kutitë me vota nuk po vinin prej ditësh, ndërsa sot kanë ardhur të gjitha. Përfaqësuesit e PD-së kanë tentuar edhe të futen brenda perimetrit të sigurisë, por janë përballur me të caktuarin për Diasporën nga Partia Socialiste, Taulan Balla.