
TIRANË- Numërimi i votave nga Greqia ka vijuar në orët e vona të natës në Parkun Olimpik në Tiranë. Sipas të dhënave zyrtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve janë numëruar 192 155 zarfe nga 195 141 në total. Deri më tani, Partia Socialiste ka marrë 114 126 vota, ose 60,06% dhe Partia Demokratike 46 009 vota, ose 24,21%. PS ka kaluar në epërsi me mbi 68 mijë vota diferencë.
Ndërsa partitë e reja kanë marrë nga 14 353 vota për Nisma Shqipëria Bëhet, ose 7,55%, Mundësia 5864, ose 3,09%, Lëvizja Bashkë 2,25% dhe Partia Socialdemokrate 1,19%. Partia Socialiste ka fituar 83 mandate, PD 50 mandate, pasi ruajti mandatin e katërt në Lezhë gjatë ditës së djeshme me deputetin Kastriot Piroli, i cili rrezikoi të mbetej jashtë parlamentit.
Aktualisht gara më e fortë po zhvillohet brenda partive për ruajtjen e mandateve nga kandidatët. Nga radhët e PS, depuetja Olta Xhaçka ia ka arritur t’ia marrë me 2 vota mandatin Blerina Gjylametit. Gjatë numërimit të votave, Gjylamenti ishte 19 vota para Xhaçkës në numërimin e qarkut dhe të diasporës së Greqisë. Por, nga numërimi rezultoi se Xhaçka grumbulloi 5806 vota, ndërsa Gjylameti 5804 vota. Deputetja tjetër nga kuotat gjinore që hyri prej listës së hapur të PS ishte ministrja Anila Denaj.
Gjithashtu edhe dy kandidatët socialistë Ornaldo Rakipi dhe Xhemal Qefalia, janë duke luftuar për një vend në Parlament, me të parin që ka marrë pothuajse 200 vota më shumë. Nga ana e Partisë Demokratike, gara konsiderohet e mbyllur, pasi Jorida Tabaku ka pothuajse 3 mijë vota më shumë se Ilir Alimehmetit dhe vota e diasporës nuk pritet të ndryshojë gjë.
Edehe në Lezhë garë po bëhet brenda kandidatëve të PD dhe PS për t’i zënë vendin njëri-tjetrit. Kastriot Piroli duket se po mban një distancë nga Aleksandër Lala te lista e hapur. Nga radhët e PS duket se gara po bëhet më e fortë mes Admir Kadelit dhe Marjeta Nelit, e cila ka marrë qindra vota më shumë. Në Kukës gara brenda PD-së për mandatin e listës së hapur përfundoi me përmbysje në favor të deputetit Isuf Çela, që tejkaloi Shkëlqim Shehun. Ndërsa në Korçë, socialistja Besa Spaho po përpiqet të ruajë mandatin nga Eslemvera Zake./ZËRI