Politikë

"Sterilizimi"/ Biznesmeni Rrapaj dhe ortaku i tij dëshmojnë sot para Komisionit Hetimor, pritet edhe Denaj

Biznesmeni ndodhet në burg prej datës 16 gusht 2024, por ka marrë leje nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të dhënë dëshminë e tij para Komisionit Hetimor.

k.m.
"Sterilizimi"/ Biznesmeni Rrapaj dhe ortaku i tij dëshmojnë
Foto ilustruese

TIRANË- Komisioni Hetimor për koncensionet në Shëndetësi do të vijojë sot për marrjen në pyetje të dëshmitarëve të tjerë për "Sterilizimin". Sot është thirrur për t’u marrë në pyetje biznesmeni Ilir Rrapaj dhe ortaku i tij Italian Umbro Staccini, të dy partnerët kryesorë të ‘SaniService’. Biznesmeni ndodhet në burg prej datës 16 gusht 2024, por ka marrë leje nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të dhënë dëshminë e tij para Komisionit Hetimor. Sot në listën e dëshmitarëve është edhe ish-ministrja e Ekonomisë dhe Financave, aktualisht e Bujqësisë, Anila Denaj. Kjo e fundit është thirrur pasi në kohën që është dhënë koncensioni ka mbajtur postin e kreut të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Teksa kryente detyrën dhe ishte njohur me koncensionin, Denaj nuk ka qenë dakord për çmimet e sterilizimit dhe madje ka depozituar edhe një ankesë. Për këtë zhvillime dhe të tjera, do të "merret sot në pyetje" nga kolegët e saj në ambientet e Kryesisë së Kuvendit.

Dëshmitarët pritet të thirren sot në Komison:

Ora 9.30 - Ilir Rrapaj
Ora 14.00 - Anila Denaj
Ora 16.00 - Altin Fani
Ora 18.00 - Umbro Staccini
Ora 19.00 - Elisabetta Anzanello
Ora 20.00 - Giorgio Tardioli

Komisioni Hetimor të Kuvendit për Sterilizimin dhe Check-Up në shëndetësi u ngrit pas një marrëveshjeje të arritur nga Partia Socialiste me atë demokratike. Por të dyja këto koncensione janë nën hetim nga SPAK. I pari, ai i Sterilizimit, ka sjellë deri më tani arrestimin dhe ngritjen e akuzave ndaj ish-zëvendësministrit të Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmenit Ilir Rrapaj. Nën hetim janë edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani. Këto koncensione në Shëndetësi kanë ngritur pikëpyetje për korrupsion dhe abuzime. Madje dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ngritur vazhdimisht pikëpyetje duke i konsideruar ato si një përdorim “joefikas” i fondeve publike. Po ashtu, edhe opozita ka ngritur herë pas herë akuza se koncensionet kanë qenë abuzim i pastër me paratë e buxhetit të shtetit. Aktualisht, Beqaj është në burg pasi akuzohet se ka abuzuar me fondet e BE-së, por po hetohet edhe për koncensionet në Shëndetësi. Megjithatë, ndërsa hetimet vazhdojnë, deri më tani për të nuk është ngritur asnjë akuzë zyrtare nga ana e SPAK./ZËRI

Poll

MOS HUMB