Politikë

SPAK dha “Ok”, Meta zhvillon takimin e parë me familjarët, por ka një kusht: S'e dua Kryemadhin këtu!

Me lejen e SPAK, kreu i Partisë së Lirisë është takuar me fëmijët e tij, por biseda e zhvilluar ka mbetur mes tyre. 

k.m.
SPAK dha “Ok”, Meta zhvillon takimin e parë me familjarët,
Ilir Meta

TIRANË- Ka një javë në qeli, por edhe pse i izoluar, presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka gjithë vëmendjen e mediave që nxjerrin detaje nga mënyra sesi politikani po e kalon kohën në institucionin e vuajtjes së dënimit. Sot, Meta ka zhvilluar takimin e parë me familjarët e tij. Në qeli i kanë shkuar djali, Besari me një nga vajzat. Me lejen e SPAK, kreu i Partisë së Lirisë është takuar me fëmijët e tij, por biseda e zhvilluar ka mbetur mes tyre. 

Megjithatë, takimet fizike nuk janë e vetmja mënyrë kontakti. Sipas "VNA", Meta ka kërkuar nga avokati i tij, Genc Gjokutaj edhe letra e stilolapsa për të komunikuar me fëmijët dhe me eksponentë të Partisë së Lirisë. Edhe përmbajtja e këtyre mesazheve mbetet sekret mes dërguesit dhe marrësit. Veç Gjokutajt, takim me Ilir Metën ka pasur dhe drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, i cili ka shkuar dhe ka komunikuar me të për ndonjë kërkesë specifike, apo ndonjë shqetësim që mund t'i kishte lindur gjatë kohës që është mbajtur në qelinë "313". Por deri më tani, duket se qëndrimi i kreut të PL-së ka qenë krejtësisht i qetë. Ose të paktën, Meta nuk ka shfaqur asnjë shqetësim.

Duke marrë parasysh detyrat që Meta ka mbajtur në të shkuarën e tij, por edhe "kategorinë" e personave që vuajnë dënimin në burgun "313", për të gjitha lëvizjet nga qelia në ajrim është ndjekur një protokoll i veçantë. Gjatë kohës që i takon për t'u ajrosur, Meta ka kërkuar që të ketë pajisje dhe vegla për stërvitje.  

Po ashtu, derisa të dërgohet në burgun e Fierit, ka shtuar edhe një kërkesë kategorike: Nuk do asnjë takim me (ish)bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhin.

Siç e parashikon ligji, presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta do qëndrojë 10 ditë në ambientet e paraburgimit Nr.313 në Tiranë, e më pas do të dërgohet në burgun e Fierit. Atje e pret ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji. Këtë kërkesë Meta, e ka argumentuar se burgun e Fierit, ndihet më i sigurtë dhe sipas tij, në këtë burg është opozita e vërtetë. E teksa Meta është ende në qeli, Avokati i Popullit ka nisur hetimit në lidhje me procedurat e ndjekura nga Forcat Operacionale për arrestimin e ish-Presidentit Ilir Meta.

Kreu i Partisë së Lirisë u vu në pranga më 21 tetor teksa po kthehej nga Kosova. Ai kishte planifikuar të mbërrinte në selinë e Partisë së Lirisë ku do të mbante një konferencë me gazetarët, por në hyrje të Tiranës, u ndalua nga efektivët e policisë që i vunë prangat. Për eksponetët të Partisë së Lirisë, dhuna e Policisë ishte e pajustifikueshme, ndërsa për Policinë e Shtetit ishte e nevojshme pasi hasën në rezistencë nga Meta në momentin kur i komunikuan urdhër-arrestin e prerë nga GJKKO./ZËRI

Poll

MOS HUMB