
TIRANË-Teksa numërimi mbrapsht ka filluar për përmbylljen e dorëzimit të koalicioneve në KQZ, i cili përfundon mesnatën e sotme, ora 00:00, janë regjistruar kërkesat e para. LZHK dhe Djathtas 1912 kanë firmosur marrëveshje koalicioni për zgjedhjet. Koalicioni është emërtuar “Djathtas për Zhvillim”, duke shkrirë dy siglat e partive në fjalë, për një mision zgjedhor dhe politik.
Po ashtu Partia “Lëvizja Shqipëria Bëhet” (SHB), Partia “Nisma Thurje” (Nisma), Partia “Lidhja për të Drejtat e Punëtorëve Shqiptarë” (PLDSH) kërkojnë të futen në zgjedhje si koalicion.
Ndërkohë Partia Demokratike vijon negociatat me aleatët për të finalizuar marrëveshjet e saj elektorale. Deri tani PD ka arritur një marrëveshje me Partinë e Lirisë, e cila do të ketë katër deputetë në listat e mbyllura. Edhe pse është në ambientet e paraburgimit të 313-ës, Meta ka kërkuar të jetë pjesë e listave të sigurta. Teksa ai do të kandidojë në Tiranë, në Korçë ka një vend për Tedi Blushin; në Elbasan për Edmond Haxhinaston dhe në Fier për Erisa Xhixhon. Edhe pse kërkesa fillestare ishte për 6-7 vende në listën e mbyllur, duket se demokratët nuk kanë pranuar që të japin dyfishin e emrave që aktualisht kjo forcë politike ka në sallën e Kuvendit.
Po ashtu, Partia Republikane, PBDNJ e Vangjel Dules dhe Partia Agrare Ambientaliste kanë siguruar nga një vend secila.