Politikë

Shqipëria mbyll TikTok për 1 vit, Rama: Duhet të ruajmë fëmijët! Opozita: Censurë! Shkak, zgjedhjet

Ndryshe mendon opozita për mbylljen e TikTok në Shqipëri.

k.m.
Shqipëria mbyll TikTok për 1 vit, Rama: Duhet të ruajmë
Sali Berisha dhe Edi Rama

TIRANË- Shqipëria do të mbyllë TikTok për 1 vit! Në këtë përfundim doli qeveria e kryeministrit Edi Rama, i cili bëri me dije dje se marrja e këtij vendimi është kërkuar nga 90% e prindërve. Pas lajmit, dje TikTok në një përgjigje me email të shtunën ndaj një kërkese për koment të "Associated Press", kërkoi “qartësi urgjente nga qeveria shqiptare”. Sipas tyre, kompania tha se nuk kishte gjetur asnjë provë që autori ose viktima kishte llogari TikTok dhe raportet e shumta kanë konfirmuar në fakt videot që çuan në këtë incident po postoheshin në një platformë tjetër, jo në TikTok.

Pas komentit të kompanisë, kryeministri Edi Rama ka reaguar edhe një herë sot lidhur me vendimin e qeverisë për të mos e bërë të aksesueshme platformën e Tik Tok në Shqipëri, duke iu përgjigjur kështu platformës kineze. Por nuk është i vetmi që ka folur për ndalimin e "TikTok".

Me një reagim në rrjetet sociale, deputeti socialist Erjon Braçe e quan të drejtë vendimin e qeverisë duke argumentuar se kompania përdor algoritme të ndryshme për përdoruesit në Kinë, ndërsa me algoritmet në Shqipëri promovon dhunë e bullizim.

"TikTok do “sqarime urgjente”?? Kush janë këta? Dëgjoni kënget tuaja kuruese, qetësohuni dhe po deshët sillni variantin kinez të tik tokut tuaj!! Kjo arma që keni hedhur edhe këtu, thjesht asgjësohet!!' shkruan Braçe.

Ndryshe mendon opozita. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar lidhur me mbylljen e plaformës, por fjalën e tij e tha pikërisht në "TikTok" përmes një videoje. Sipas Berishës, mbyllja e aplikacionit është një akt censure i kryeministrit, pasi kjo platformë nuk mund që të kontrollohet. 

"Në një akt ekstrem censure, Edi Rama informoi dje se ka vendosur të bllokojë plotësisht platformën e Tik Tok-ut. Sipas tij, ishte ky një shkak madhor i vrasjes së nxënësit në shkollë. Mirëpo, kompania e Tik Tok informoi se, as i ndjeri Martin, as dhe vrasësi i tij nuk kishin llogari në këtë platformë. Çfarë del? Kësaj i thonë njëlloj sikur, për të mos patur aksidente, të ndalojmë përdorimin e makinave, apo të ndalojmë përdorimin e rrugëve dhe këto janë absurditete. E vërteta është se, Edi Rama vendosi ndalimin e platformës së Tik Tok-ut vetëm e vetëm se, aksionet e tij në mediat sociale kanë rënë përtokë, siç dëshmojnë të gjitha sondazhet. Së dyti, ai nuk i blen dot këto platforma, siç blen media tjera në Shqipëri. Dhe së fundmi, jemi në prag të zgjedhjeve dhe nuk toleron dot negativitetet e pasqyruara nga qytetarët në këto platforma. Duke ju garantuar se, platforma e Tik Tok-ut do të hapet menjëherë pas zgjedhjeve, ju ftoj të dashur miq, të postoni në llogaritë tuaja të Tik Tok, por edhe rrjeteve tjera sociale, statuse në mbrojtje të kësaj platforme dhe në dënim të censorit ekstrem, narkodiktatorit Edi Rama,"-tha Berisha në fjalën e tij.

Po ashtu, edhe kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar lidhur me vendimin e qeverisë për mbylljen e platformës TikTok për një vit. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bardhi thotë se shkaku i vërtetë i keqformimit të fëmijëve dhe të të rinjve është mungesa e politikave në arsim.

“Modeli dhe ndikimi më i keq tek fëmijët është qeverisja e Edi Ramës! Ajo i jep modelin fëmijëve se: nëse vjedh bëhesh ministër; nëse vret apo trafikon drogë bëhesh deputet; nëse dhunon dhe bashkëpunon me bandat bëhesh drejtor policie; nëse je arrogant bëhesh kryetar bashkie; nëse je militant partie bëhesh drejtor shkolle; apo nëse je bandit emëron drejtorë dhe fiton tendera. A nuk është më e shëndetshme për fëmijët dhe garanci më e madhe për mirërritjen e tyre që të mbyllim qeverinë e Edi Ramës?! Sigurisht që PO! Boll është boll, 12 vjet keqqeverisje dhe gjithmonë një alibi e gatshme që faji është diku tjetër. E vërteta është që faji është tek papërgjegjshmëria e Qeverisë së Edi Ramës, tek mungesa e politikave të duhura në arsim, tek shndërrimi i shumicës së mësuesve në trupë elektorale,”- shkruan Bardhi.

Ndërsa deputetja demokrate, Ina Zhupa pretendon se vendimi do të ndihmojë PS-në në zgjedhjet e ardhshme parlamentare që do të mbahen më 11 maj.

"Vendimi diktatorial për mbylljen e platformës së mediave sociale TikTok ... është një akt i rëndë kundër lirisë së fjalës dhe demokracisë," tha Ina Zhupa, një ligjvënës i Partisë Demokratike kryesore të opozitës. “Është një akt i pastër elektoral dhe abuzim me pushtetin për të shtypur liritë”.

Dje u bë me dije lajmi se platforma “TikTok” do të mbyllet për 1 vit në të gjithë territorin e Shqipërisë. Pas mbledhjes që zhvilloi me prindër e mësues, kreu i qeverisë tha se ka marrë vendimin për mbylljen e “Tik Tok”, pas diskutimeve për masat e reja që do të merren në shkolle dhe hapi i parë është vendosur të jetë mbyllja e platformës së shume diskutuar. Kryeministri Rama tha se vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përlleshaj, u kthye në një sebep që shoqëria të gjente fajtorin, por shtoi se fatkeqësisht nuk mund të parandalohen dhe nuk mund të shmangen të gjitha ngjarjet që ndodhin./ZËRI

Poll

MOS HUMB