TIRANË-Kryeministria ka reaguar pas vendimit të Erion Veliajt për të shkarkuar Anuela Ristanin nga detyra e kryebashkiakes në detyrë. Zëdhënësja e Kryeministrisë, Manjola Hasa ka sjellë në vëmendje vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ku thuhet se Erion Veliaj vazhdon të jetë kryebashkiak i Tiranës, dhe ky vendim nuk lë asnjë hapësirë për interpretim. Po ashtu në reagim theksohet se situata e krijuar në Tiranë, është pasojë e burgosjes së Veliajt, e cila ka bërë që kryeqyteti të qeveriset nga një vartës në distancë.
"Për këtë çështje ka folur Gjykata Kushtetuese dhe vendimi i saj është i qartë: Erion Veliaj është kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe ushtrimi i mandatit nga ana e vet, nuk është një e drejtë thjesht e tij si i zgjedhur, po është një e drejtë e zgjedhësve të kryeqytetit, e cila cënohet përditë me pasoja jo të papërfillshme në mbarëvajtjen e punëve dhe shërbimeve të Bashkisë Tiranë.
Ky është opinioni i kryeministrit dhe kjo është një çështje e respektimit të Kushtetutës e të vullnetit të zgjedhësve, tek e cila kryeministri nuk sheh hapësirë për interpretime nga askush. Sa për “situatën e krijuar” në Bashkinë e Tiranës, ajo është pjesë e konfuzionit që ka krijuar në ecurinë e kryeqytetit të Shqipërisë kyçja e të zgjedhurit në qeli, e cila ka imponuar një qeverisje të Tiranës me vartës në distancë – një absurd “ligjor” që në Europën demokratike as nuk mund të imagjinohet, e jo më të ndodhë,"-thuhet në reagimin e kryeministrisë për TopChannel.
Shkarkimi i Anuela Ristanit nga Erion Veliaj u raportua një ditë më parë. Në vendim argumentohej se Ristani kishte refuzuar zbatimin e urdhrave të kryebashkiakut dhe gjatë detyrës së saj është kthyer në një pengesë për ushtrimin efektiv të mandatit të Veliajt, pasi sipas tij ka munguar koordinimi institucional, moszbatim të vendimeve gjyqësore dhe refuzim të urdhrave të drejtpërdrejtë të Kryetarit të Bashkisë. Nga 28 gushti në Bashkinë e Tiranës nuk ka një drejtues të deleguar që të qëndrojë në krye të punëve, teksa kryebashkiaku Veliaj ndodhet në paraburgim prej 10 shkurtit 2025.