
TIRANË- Një 14-vjeçar është shtruar me urgjencë në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës. Kjo pasi i mituri u paraqit në spitalin e Durrësit me urgjencë, në gjendje të rënduar shëndetësore. Gjatë ekzaminimit në Tiranë, i mituri u diagnostikua me meningit akut. Siç bëhet me dije gjendja e 14-vjeçarit të shtruar në Tiranë është e qëndrueshme.
Lajmi për sëmundjen e të miturit është dhënë nga "TopChannel" dhe pretendohet se është mbajtur i fshehtë nga autoritetet shëndetësore.
Po ashtu, theksohet se prindër të nxënësve të shkollës 9-vjeçare “Kushtrimi i Lirisë” kanë shfaqur shqetësim sepse nga ana e autoriteteve nuk janë marrë masa për të mbrojtur fëmijët e tyre. Ata shprehen për TCH, jashtë mikrofonit, se nuk janë njoftuar për situatën dhe në shkollë nuk është marrë asnjë masë parandaluese.
Edhe drejtoresha e shkolles “Kushtrimi i Lirisë”, Merita Bekteshi tha se gjendja e nxënësit nuk është e mirë dhe pranon se tek nxënësit e tjerë kishin munguar për shkak se në shkollë ishte krijuar panik. Ajo shton se për ngjarjen në fjalë janë njoftuar edhe autoritetet e tjera vendore, në mënyrë që të bëhet dezinfekimi i shkollës apo të merren masa të tjera parandaluese.
"Jemi vënë në dijeni mbrëmjen e djeshme nga ora 17:30, nga ora 19 jam vënë në dijeni nga mjekja e njësisë Durrës që në shkollë një nxënës i juaj ka dalë pozitiv me meningit bankterial, të premten nxënësi ka qenë në shkollë nuk ka pasur në dijeninë time shenja të gripit, se është sezon që fëmijët janë të sëmurë, ngjarja ka evoluar ditën e shtunë dhe të diel, dje më është thënë që grupi i kontaktit dhe mësuesi të marrë një antibiotik që e rekomandova grupit të nxënësve. Sot pyeta nëse do të ishte e nevojshme nëse duhet dezonfektim, për bakterin më thanë që nuk është e nevojshme. Janë të shqetësuar se gjendja e fëmijës është problematike. Nuk ka nevojë për panik se është rasti i parë,"-tha drejtoresha.
Alarmi për këtë rast është i shtuar për shkak se është hera e dytë që nga i njëjti qark, një i mitur infektohet nga meningiti akut. Në dhjetor, një vajzë u infektua dhe ndërroi jetë në QSUT. Gjimnazistja kishte qenë në një ekskursion me shkollën në Voskopojë, pas të cilit kishte shfaqur një gjendje virale të lehtë që u përkeqësua me shpejtësi dhe pas dërgimit në Tiranë u diagnostikua me meningit akut. Por në rastine parë të gjithë personave të ekspozuar, familjarë, nxënës e staf mjekësor iu rekomandua marrja e medikamenteve profilaktike, madje dhe ambientet e gjimnazit u dezinfektuan.
Mesa duket për rastin e dytë nuk janë marrë të njëjtat masa.
Cilat janë shenjat e meningjitit?
Meningjiti është një infeksion i membranave mbrojtëse që rrethojnë trurin dhe palcën kurrizore (meningat). Mund të prekë këdo, por është më e zakonshme tek foshnjat, fëmijët e vegjël, adoleshentët dhe të rriturit e rinj. Meningjiti mund të jetë shumë serioz nëse nuk trajtohet shpejt. Mund të shkaktojë pasoja kërcënuese për jetën dhe të rezultojë në dëmtim të përhershëm të trurit ose nervave.
Simptomat e meningjitit
Simptomat e meningjitit zhvillohen papritur dhe mund të përfshijnë: temperaturë e lartë (ethe); një dhimbje koke; një qafë të ngurtë; përgjumje ose mosreagim; konvulsione (kriza). Këto simptoma mund të shfaqen në çdo mënyrë dhe jo gjithmonë shfaqen të gjitha simptomat.
Si përhapet meningjiti?
Meningjiti zakonisht shkaktohet nga një infeksion bakterial ose viral. Meningjiti bakterial është më i rrallë, por më serioz se meningjiti viral. Infeksionet që shkaktojnë meningjitin mund të përhapen përmes: teshtitjes; kollitjes; apo edhe duke u puthur. Meningjiti zakonisht përhapet nga njerëzit që i mbajnë këto viruse ose baktere në hundë ose në fyt, por nuk janë vetë të sëmurë. Mund të përhapet edhe nga dikush me meningjit, por kjo është më pak e zakonshme.
Meningjiti viral zakonisht përmirësohet vetë dhe rrallë shkakton ndonjë problem afatgjatë. Shumica e njerëzve me meningjit bakterial që trajtohen shpejt shërohen gjithashtu, megjithëse disa mbeten me probleme serioze afatgjata.
Këto mund të përfshijnë: humbje dëgjimi ose humbje e shikimit, e cila mund të jetë e pjesshme ose e plotë; probleme me kujtesën dhe përqendrimin; konvulsione të përsëritura (epilepsi); probleme me koordinimin, por ndonjëherë është i nevojshëm edhe amputimi i gjymtyrëve të prekura. Në përgjithësi, vlerësohet se deri në 1 në çdo 10 raste të meningjitit bakterial është fatal për jetën./ZËRI