TIRANË-Kreyministri Edi Rama në podcastin e tij 'Flasim', ka komentuar edhe artikujt e mediave ndërkombëtare lidhur me protestat në Shqipëri, kundër ndërtimit të projektit në Zvërnec. Rama u shpreh se mediat e huaja raportojnë për axhendat e tyre dhe jo për mjedisin e Shqipërisë, ku sipas tij disa e kanë me Izraelin, të tjerë sepse janë kundër Amerikës dhe presidentit Donald Trump dhe e treta sepse janë konkurrentë dhe kundër projekteve në vendin tonë.
Edi Rama: Dhe, ndërkohë, kam edhe diçka tjetër për të shtuar lidhur me atë që po ndodh. Kini parasysh një gjë: gjithë kjo lukuni e madhe videosh dhe gjithë këta gazetarë, gjithë këta lloj-lloj ndërkombëtarësh në media që papritur u bënë të interesuar për Shqipërinë, për mjedisin, për zogjtë e Shqipërisë, nuk e kanë fare me mjedisin dhe me zogjtë e Shqipërisë. E kanë secili për agjendën e vet në vendet ku janë.
Disa e kanë me Izraelin, që u fut kot fare në këtë mes. Ndërkohë që investitorët kryesorë janë dy vëllezër myslimanë të famshëm në Lindjen e Mesme për sukseset dhe investimet e tyre dhe që vijnë nga Katari, një vend që s’ka as marrëdhënie me Izraelin. Disa të tjerë e kanë kundër atij në Amerikë, presidentit të Amerikës, të cilin gjysma e duan, gjysma e urrejnë dhe ndaj të cilit mediat dhe të gjitha sistemet online turren për çdo gjë.
Disa të tjerë e kanë sepse nuk duan që Shqipëria ta ketë këtë projekt. Janë konkurrentë, normal! Të vijnë 4 miliardë në Shqipëri dhe, me këto emra, Shqipëria bëhet një pikë referimi si asnjëherë më parë dhe si asnjëherë më pas, në rast se ne e humbim këtë mundësi.
Po, ndërkohë, mos harroni që ka një mundësi shumë të madhe që gjithë këto rrëmuja që dalin nëpër media, nëpër rrjete online, ndryshe nga çfarë është realiteti këtu, që ka një turmë në bulevard, një turmë shumë biodiverse, që nga të marrët që fusin rrethin katror dhe pastaj e quajnë rrethin katror, te lloj-lloj personazhesh që kërkojnë “like” dhe që jetojnë me “like”. Influencera që fitojnë paratë e dynjasë përmes rrjeteve sociale dhe s’paguajnë një kokërr leku, një kokërr leku taksë.
Të tjerë që janë delirantë, me flamurin të lidhur këtu në fyt dhe që e vënë qeleshen si një certifikatë pastërtie patriotike; të tjerë që janë realisht të shqetësuar, vajza dhe djem që duan të shfryjnë pakënaqësitë e tyre etj. Është një turmë normale, s’ka asnjë problem.