TIRANË-Sipas vlerësimeve të ‘Freedom House’, që analizon gjendjen e të drejtave dhe lirive në 195 shtete dhe 13 territore, situata në Shqipëri dhe Kosovë mbetet e pandryshuar dhe të dyja vendet vazhdojnë të cilësohen si “pjesërisht të lira”, klasifikim që kjo organizatë përdor për shtetet ku zhvillohen procese elektorale, por ku të drejtat e plota politike dhe liritë qytetare mbesin të kufizuara. Të dyja vendet kanë shënuar rritje me nga një pikë krahasuar me vitin e kaluar.
Në raport thuhet se Shqipëria ka një rekord zgjedhjesh konkurruese, megjithëse partitë politike janë shumë të polarizuara dhe shpesh të organizuara rreth personaliteteve kryesore. Liria fetare dhe liria e tubimit në përgjithësi respektohen. Gjithashtu nënvizohet se korrupsioni dhe ryshfeti mbeten probleme të mëdha, megjithëse qeveria po punon për të adresuar korrupsionin në gjyqësor.

Ndërkohë në raportin e publikuar më 19 mars thuhet se në Kosovë “gjykatat kanë nxjerrë vendime që dëshmojnë pavarësinë e tyre, megjithëse janë përballur me trysni të madhe politike”. Kosova ka shënuar një përmirësim të vogël në Raportin e vitit 2026 për Lirinë në Botë, duke u vlerësuar me 61 pikë nga 100, një më shumë se një vit më parë.
Sipas raportit, kriza politike dhe institucionale që goditi Kosovën gjatë vitit të kaluar, kur vendi u qeveris pothuajse tërë kohën nga një qeveri në detyrë, ka ndikuar në përparimin e vendit në gjyqësor.

“Në Kosovë, për shembull, ligjvënësit e sapozgjedhur nuk arritën të formonin një qeveri për pjesën më të madhe të vitit, ndërsa qeveria në detyrë thuhet se e tejkaloi mandatin e saj teknik, duke rezultuar në zgjedhje të parakohshme; kjo bllokadë i zbehu përparimet e vendit në pavarësinë gjyqësore dhe sigurinë fizike”, thuhet në raport.
Sipas raportit, gjatë vitit 2025, plot 54 vende përjetuan përkeqësim të të drejtave politike dhe lirive civile, ndërsa vetëm 35 shënuan përmirësime. Aktualisht, vetëm 21 për qind e popullsisë së botës jeton në vende të vlerësuara si të lira, një rënie e ndjeshme krahasuar me 46 për qind dy dekada më parë.