Politikë

Rama ultimatum deputetëve: Lini mandatin, pastaj bëni avokati publike. Asnjë koment për SPAK!

Rama kërkon qëndrim të paanëshëm të deputetëve që kanë garuar nën siglën e Partisë Socialiste ndaj Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Reagimin e ashpër duket se e ka nxitur një prononcim i deputetit Etjen Xhafaj.

k.m.
Rama ultimatum deputetëve: Lini mandatin, pastaj bëni avokati publike.
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama është treguar i ashpër me mesazhin e fundit që i ka dërguar socialistëve; për herë të dytë tashmë! Në një mesazh që ka ndarë në grupin e "WhatsApp" të skuadrës së deputetëve të Tiranës, Rama ka dhënë ultimatumin e fundit për të gjithë socalistët me kritika për SPAK. Sipas gazetarit Muhamet Veliu, Rama kërkon qëndrim të paanëshëm të deputetëve që kanë garuar nën siglën e Partisë Socialiste ndaj Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Reagimin e ashpër duket se e ka nxitur një prononcim i deputetit Etjen Xhafaj. Por nuk është e qartë se për cilën intervistë e ka pasur reagimin.

Pavarësisht kësaj, mesazhi i Ramës ishte shumë i qartë dhe final!

“Jam pa fjalë! E paimagjinueshme se si një deputet i Partisë Socialiste mund të flasë si në kafene, si tifoz, duke bërë një avokati banale që për më tepër s’ndihmon askënd hiç fare, ndërkohë që s’ka asnjë lidhje me qëndrimin tonë parimor për paraburgimin pa gjyq të kryebashkiakut të kryeqytetit! A është i pafajshëm a i fajshëm Erioni apo kushdo tjetër, këtë s’ia ka ngarkuar askush as PS, as mua e as Etienit natyrisht, që ta thotë në mexhelis”.

Më tej, shton se të gjithë ata që duan të komentojnë apo siç e quan Rama "të merren me  avokati publike", të lënë mandatin dhe më pas janë të lirë që të prononcohen si të duan. Sipas kryesocialistit, të gjithë deputetët, kanë vetëm një detyrë: të merren me zgjedhjet e 11 majit. 

“Nuk dua të dëgjoj më asnjë prononcim që cenon pavarësinë e SPAK-ut, lidhur me rastin a me rastet konkrete, me përmbajtjen e akuzave a me pretendimet e të akuzuarve! STOP! Mbështetja jonë për SPAK-un, mbetet e palëkundur dhe kritikat tona parimore të mundshme, nuk janë as me kohë e pa kohë, as pune e kujt t’i teket nga deputetët ose përfaqësuesit e tjerë të PS! Kështu që fokusohuni tek detyrat tuaja, ku nuk hyn gjëkundi muhabeti i kafenesë për drejtësinë”.

Mirëpo, Rama nuk është ndalur me kaq. I ka kërkuar edhe Elisa Spiropalit ta përcjellë këtë mesazh edhe tek grupi i deputetë të qarqeve të tjera të vendit.

Megjithatë kjo nuk është hera e parë që Rama tërheq vëmendjen e socialistëve. Në takimin që zhvilloi me punonjësit e Bashkisë së Tiranës, u kërkoi që të mos tubonin më para SPAK. Edhe pse u shpreh se ishte dakord me qëndrimin e tyre, kërkoi që protesta të tilla të mos zhvilloheshin më. Ky është mesazhi i dytë që kryeministri lëshon për socialistët, ndërsa vetë, qëndrimet e tij i ndan në rubrikën e re, "Sy m'sy", ku u përgjigjet pyetjeve të qytetarëve./ZËRI

Poll

MOS HUMB