
TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka nxitur emigrantët që të kthehen në Shqipëri dhe të investojnë në vendin e tyre. Në podcastin e tij “Flasim”, gjatë bashkëbisedimit me një çift bashkëshortësh nga Tragjasi i Vlorës, të cilët kanë një agroturizëm, ai tha se nëse djali i tyre kthehet në Shqipëri dhe e zgjerojnë më tepër aktivitetin, do të fitojë më shumë sesa në Gjermani. Rama u shpreh se shumë shpejt do të shpallin një program të ri për mbështetje financiare për agroturizmin.
"Atje ka taksa, transporte etj. Ndërkohë po të vijë këtu dhe të zgjeroni atë që kam parë unë, që është një mrekulli, do ti dalë më mirë atij. I del më mirë llogaria, me laps. Agroturizmi taksa nuk ka, tvsh e kemi bërë 6%. Le që ju nëse jeni nën atë nuk paguani tvsh. Kemi një program të ri që do shpallim së shpejti, që do japim mbështetje financiare për këto aktivitete ju me atë që keni bërë e merrni atë mbështetjen. Është një mbështetje e kombinuar kredi e bute më grand dhe e bëni tamam, tokë keni atje. Ca bën ai atje gjermani, marangoz. E mori profesionin atje le të vijë të punojë këtu. Është bërë e vështirë në gjermani për gjermanët, jo më për ne. Ajo kafja e gjermanëve është sikur pi lëng gështenje,"-u shpreh Rama.
Projektligji "Paketa e Maleve"
Më 9 janar, qeveria shqiptare miratoi projektligjin e ri, të quajtur “Paketa e Maleve”. Ky projektligj ka si qëllim të nxisë zhvillimin ekonomik në zonat malorë të vendit. “Paketa e Maleve” u bë e ditur disa muaj më parë nga kryeministri Edi Rama, i cili u shpreh se projektligji parashikon kriteret e kalimit të pronësisë shtetërore tek private kundrejt blerjes me një tarifë simbolike prej 1 euro. Sipas projektligjit, mes poseduesit jo pronar dhe qeverisë do të firmoset një kontrate shitjeje me kusht, ku pronari merr çertifikatën e pronësisë vetëm pasi realizon ndërtimin e planifikuar. Synohet përdorimi i tokës qoftë ‘pyll”, “kullotë” livadh për investime që zhvillojnë zonën./ZËRI