Politikë

Rama në Theth: Ka ndonjë që shan këtu? Se na marrin mësysh! Banori: Kam 100 mln lekë gjobë e kredi, vjet kantina...

Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se ka një keqkuptim të madh për "Paketën e Maleve" dhe e cilësoi të nevojshëm takimin e sotëm me qëllim sqarimin për banorët e zonës. 

zh.ll
Rama në Theth: Ka ndonjë që shan këtu? Se na marrin
edi rama ne theth

THETH- Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të martë një bashkëbisedim me banorët dhe sipërmarrësit në Theth, ku në fokus ishte prezantimi i “Paketës së Maleve” dhe sqarimi i qëllimit të saj. Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se ka një keqkuptim të madh për "Paketën e Maleve" dhe e cilësoi të nevojshëm takimin e sotëm me qëllim sqarimin për banorët e zonës. 

Teksa bëri një prezantim sqarues për atë se çfarë ofron paketa, Rama  u tha banorëve se do të ketë edhe një faqe digjitale të dedikuar, ku do të publikohen informacionet dhe projektet. Më pas, Rama iu drejtua banorëve duke i ftuar të bëjnë pyetje, ndërsa nuk munguan as batutat e tij për kritikat dhe sharjet që merr.

“Ka një faqe digjitale për paketën e maleve, do të pasurohet edhe me informacionet dhe projektet. Do të jetë aty një adresë direkte për tu interesuar tek institucionet përkatëse për gjithë problematikat që shfaqen rrugës. Unë dua të pyes nëse ka ndonjëri pyetje të tjera, nëse ka ndonjë tjetër të tritolit që do me më fut ndonjë sharë. Se në këtë jetën që po jetojmë tani nuk rrihet pa të shara. Mua më shajnë gjithë ditën, s’më ka marrë malli, por s’ka problem. Kështu që kush ka pyetje le ta marrë fjalën, edhe nëse do që të më fusë ndonjë të sharë… Se na marrin mësysh pastaj. Më ke sharë vjet dhe të ka ardhur në majë të hundës? Po mirë, të paktën ata që të shajnë, vjen një moment që të shajnë prapë”, u shpreh Rama.

Gjatë takimit, një prej banorëve ngriti shqetësimin për një ndërtim që, sipas tij, i ishte prishur vitin e kaluar, ndërsa tregoi se aktualisht ka një bujtinë me 16 dhoma dhe synon të zhvillojë më tej aktivitetin.

“Vjet më zuri rreziku në lidhje me shtëpinë që kam ndërtuar. Ju thatë se janë plotësuar kushtet për energjinë, rrugën dhe ujin, por më është vënë 100 milionë lekë gjobë dhe 100 milionë lekë kredi. Tani kam një bujtinë me 16 dhoma. Vjet më është prishur një tjetër godinë, që doja ta zhvilloja”, tha njëri banorë. 

Në përgjigje të banorit, Rama i tha se për zhvillimin e pronës duhet të ndjekë procedurat e “Paketës së Maleve”, ndërsa për mbështetje financiare mund të aplikojë në programin “Dyfisho Sipërmarrjen”.

“Ne kemi hapur edhe programin ‘Dyfisho Sipërmarrjen’. Ti nëse do që të zhvillosh pronën, duhet të ndjekësh ‘Paketën e Maleve’. Që të jesh në gjendje të lash edhe kreditë, ti do të aplikosh në programin për sipërmarrjen, që të jep kredi me interes të ulët. Do të jemi në dispozicionin tënd, edhe unë personalisht. Ti ke bërë një gabim, por vazhdon të punosh, të përpiqesh dhe mbështetjen do e kesh maksimale”, u përgjigj Rama.

“Kam bërë aplikim në e-albania për një projekt që dua ta zhvilloj bashkë me gruan. Jetoj prej shumë vitesh në Angli, por dua të kthehem. Projektin e ka edhe bashkia. Nusja më ka dhënë vetëm 3 muaj kohë. Nëse nuk e marr lejen për kaq kohë, do të qëndrojmë atje”, u shpreh një tjetër banor.

“Muhabeti është se fajin e ka Beneti”, u përgjigj Rama.

“Zotëria ka një problem të vogël me një dokument në Kadastër. I kemi caktuar takimin me drejtorëshën e Kadastrës”, u përgjigj kryebashkiaku Beci lidhur me kërkesën e banorit.

“Do të duhet të shfrytëzosh Paketën e Maleve. Atje në Angli, të lë njeri të ndërtosh pa leje ty?, tha Rama.

"Nuk ka shans", u përgjigj banori. /ZËRI

Poll

MOS HUMB