
TIRANË- Pensionistët dhe aktivistë të "Lëvizja Bashkë" janë mbledhur sërish për të tubuar para Kryeministrisë për të kërkuar rritjen e pensioneve. Me pankarta në duar, të cilat lexonin: “Punë një jetë, pensioni në dietë” apo “Hiqni dorë nga korrupsioni të na rritet pensioni”, të moshuarit kërkuan edhe njëherë rritjen e pagës mujore që ata marrin. Edhe njëherë kanë llogaritur se pensionet që marrin nuk u dalin për ushqimet dhe për ilaçe, kështu që në këto kushte kërkojnë vëmendje të shtuar nga qeveria.
Pamje nga protesta:
Prononcimet e pensionistëve në protestë:
- Me 200 mijë lekë çfarë do bëjmë. Pensionistët janë të parët në votime dhe të parët në detyrime. Ku është Kontrolli i Shtetit, ku janë sindikatat që nuk ndjehen fare. Shtresa e tretë ka vuajtur në kohën e Enverit dhe të Hitlerit. Na iku Enveri, erdhi Hitleri. Ku jeni o shqiptarë, fëmijët tanë të vijnë të votojnë për ta hedhur këtë.
- Pensioni social 500 euro. Ky na do vetëm votën. Vërtetë na ka gjunjëzuar nga ana ekonomike, na ka bërë me oksigjen, por ama ditën e votimit ta çojmë këtë në oksigjen, t’ia heqim tubat këtij. Më keq se sot nuk do bëhemi. Të mblidhemi dhe ta rrëzojmë me votën.
- Më keq se sot nuk do të bëhemi. Të mblidhemi dhe ta rrëzojmë me votë.
- Edi Rama na ka mashtruar që në 2013. Do bëj shëndetësinë falas, do bëj shumë gjëra falas, deri tani s’ka bërë gjë. Unë për mendimin tim duhet t’i themi Edi Ramës të mos tallet me ne.
- Kërkojmë të drejtat tona dhe nuk ka bërë vaki që të mblidhen kështu pensionistët. Sa më shumë koha të kalojë aq më shumë të do të intensifikohet protesta së bashku me Lëvizjen Bashkë.
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar ndërkohë takime qytet më qytet me qytetarët duke komentuar skemën e pensioneve. Rama fajëson skemën e mëparshme, duke thënë se deri në 2013 ishte vendosur një tavan që pensioni mos ishte më i madh se 240 mijë lekë të vjetra. Po ashtu, "fajëson" edhe bizneset që nuk bëjnë deklarimin e plotë të pagave të punonjësve duke krijuar një hendek në buxhet. Ndërkohë "Lëvizja Bashkë" kërkon që pensioni minimal të jetë 200 euro./ZËRI