
TIRANË- Kreu i Kuvendit Niko Peleshi ka reaguar për zhvillimet gjatë protestave, duke ndarë qëndrimin e Komisionit Europian kundër akteve të dhunës dhe sulmeve ndaj institucioneve.
Peleshi thekson se të rinjtë kanë të drejtë të kërkojnë më shumë mundësi dhe një të ardhme të barabartë me bashkëmoshatarët e tyre në BE, ndërsa u bën thirrje palëve të zgjedhin dialogun.
Reagimi i Niko Peleshit:
DHUNA NUK KA VEND NË DEMOKRACI!
Komisioni Europian dënon qartë zjarrvëniet, sulmet ndaj institucioneve dhe shkatërrimin e pronës publike e private gjatë protestave në Shqipëri.
Sulmet ndaj institucioneve, djegia dhe shkatërrimi i pronës nuk kanë të bëjnë as me studentët, as me të drejtën e tyre për të protestuar.
Të rinjtë janë e sotmja dhe e nesërmja e Shqipërisë. Ata kanë të drejtë të kërkojnë me zë të lartë më shumë të drejta, më shumë mundësi. Kanë të drejtë të ëndërrojnë një të ardhme të barabartë me moshatarët e BE-së.
Por dhuna nuk është rruga.
Le të ulemi me njëri-tjetrin. Pa paragjykim, pa mllef. Çdo orë që kalon e bën më të vështirë dialogun.
Mbase mund të mos bihet dakord, por duhet folur. Duhet dëgjuar.
T’i japim dorën njëri-tjetrit SOT!
Jemi për një qëllim.
Për Shqipërinë./ZËRI