
TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot programin elektoral të Partisë Socialiste për zgjedhjet e 11 majit. Gjatë prezantimit, Rama ka zbuluar edhe një model të pasaportës që, sipas tij, do të përdoret nga shqiptarët pas anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Edi Rama: Për t’iu dhënë pasaportën e BE na duhet një mandat i fortë. Kush e do pasaportën e be duhet të japë kontribut që Shqipëria të futet në BE dhe kontributi për Shqipërinë në BE është investimi i votës aty në qendër të fletës së votimit ku është numri 5 dhe ku shkruan PS dhe Edi Rama. Askush tjetër, këtë duhet ta bëjmë të qartë, nuk i pajis dot shqiptarët me pasaportën e BE brenda kësaj dekade. Çdo luhatje, çdo konfuzin e bën afatin e 2027 të digjet. Janë edhe reformat për tu thelluar dhe s’mund t’i thellojë dot askush tjetër veç nesh.
Rama thotë se ai dhe PS janë e vetmja forcë politike që mund të garantojnë vijueshmërinë e reformës në drejtësi. Kreu i qeverisë përsëriti se bufi i kënetës, referuar kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha kërkon votën më 11 maj, që më 12 maj të shkrijë SPAK.
Edi Rama: Sot, ajo shpatë është në duart e SPAK-ut. Sot, ajo peshore është në duart e Gjykatës Speciale dhe sot ne jemi garantët e vetëm të kësaj historie të re, të cilën bufi i kënetës, bashkë me të gjithë të tjerët rreth tij përbetohen e betohem se do ta kthejnë përmbys. Duan votën më 11 maj që më 12 maj të marrin shpatën.